Sensi pranë “aventurës” angleze, mesfushori i Inter kërkohet nga “Dhelprat” e Championship

schedule08:56 - 12 Janar, 2024

schedule 08:56 - 12 Janar, 2024

Stefano Sensi i tha po transferimit te Leicester, pasi klubi anglez bëri një lëvizje konkrete për mesfushorin italian. Ky është lajmi i fundit për merkaton e “Zikaltërve” të Inter, tashmë në pritje të ofertës zyrtare nga klubi anglez, i cili po dominon kategorinë e dytë të futbollit anglez, Championship me dhjetë pikë epërsi ndaj skuadrës së Ipsëich.

Për momentin nuk ka ende kontakte mes dy klubeve, teksa për kontratën e Sensi, që skadon në qershor 2024, nënkampionët e Evropës kërkojnë të paktën dy milionë euro. Lojtari, i lindur në vitin 1995, ka bërë tri paraqitje në kampionat dhe një në Kupën e Italisë me fanellën “zikaltër” deri më tani për një total prej 65 minutash në fushë.

Nëse realizohet edhe ky transferim, pas atij të Agoume që u huazua te Sevilla, Inter mund të krijojë vend për një sulmues të ri në skuadër. Megjithatë, drejtuesit do të presin deri në fund të afatit kalimtar për të shfrytëzuar rastin e duhur, ku objektivat kryesorë janë Mehdi Taremi, Armando Broja e Artem Dovbyk. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!