Sërish 2-0, Italia regjistroi ndaj Bullgarisë të njëjtin rezultat si ndaj Irlandës së Veriut. Golat e Belotti dhe Locatellit i dhuruan fitoren e dytë radhazi katër herë kampionëve të botës. Trajneri i Italisë, Roberto Mancini foli për mediat pas ndeshjes, aty ku dalloi një lojtar.
“Të gjithë ndeshjet janë të vështira, sidomos kur përballesh me skuadra si Bullgaria, që u bë gardh në mbrojtje. Deri në momentin që arrin të zhbllokosh ndeshjen, gjithçka është e vështirë dhe e komplikuar.
Ndodhemi në një moment të sezonit ku lojtarët janë disi të lodhur. Në pjesën e parë kundërshtarët nuk na rrezikuan në asnjë moment. Në fraksionin e dytë ndodhi në një moment prej një gabimi që kryem.
Harrojini ndeshjet e lehta, nuk ka më të tilla. Kundërshtarët synojnë të bllokojnë lojën tonë, kështu që gjithçka është e vështirë. Më pëlqeu Sensi sot, zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme.
Mungesa e golave të shumtë? Nuk është se kombëtaret e tjera po fitojnë me 7 apo 8 gola. Futbollistët nuk janë shumë brilantë në këtë periudhë, por ndeshjen tjetër do të shënojmë edhe më shumë“, deklaroi Mancini. /abcnews.al