Në një deklaratë të përbashkët, senatorët amerikanë të Nënkomitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, kërkuan nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të pajtohen për planin e zbatimit të Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes dy vendeve.
Pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, përfaqësuesit e Bashkimi Evropian, thanë se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë pranuar tekstin, siç e quajnë ata, marrëveshje bazë, dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të saj.
Senatorët, të cilët vizituan Kosovën dhe Serbinë në muajin prill të vitit të vitit të kaluar, uruan qeveritë e Serbisë dhe Kosovës për “arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme për normalizimin e marrëdhënieve”.
Marrëveshja pritet të zhbllokojë mundësitë për të dy vendet, duke përfshirë ndjekjen e rrugës së anëtarësimit në BE dhe integrimin ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, thanë ata.
Kjo marrëveshje përfshin zotimin e Kosovës dhe Serbisë për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Senatorët theksuan gjithashtu implikimet e rëndësishme të marrëveshjes për Ballkanin Perëndimor, ku “ndikimi rus kërkon të minojë unitetin transatlantik“.
“Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit kanë implikime të rëndësishme për rajonin e Ballkanin Perëndimor, ku ne e dimë se [presidenti rus, Vladimir] Putini po kërkon të minojë unitetin transatlantik dhe të zgjerojë ndikimin rus”, thuhet në deklaratë.
Ky grup i senatorëve, i përbërë nga demokratët dhe republikanët Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts – që janë në krye të Nënkomitetit – dhe senatorët Thom Tillis, Chris Murphy, Ron Johnson dhe Chris Van Hollen, u zotuan të punojnë me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë “për të finalizuar aneksin e zbatimit dhe avancimin e prioriteteve që sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon“./REL