Senati miraton buxhetin për mbrojtjen

schedule21:43 - 18 Dhjetor, 2024

schedule 21:43 - 18 Dhjetor, 2024

Senati miratoi të mërkurën një projektligj që i hap udhë një rritjeje të konsiderueshme të pagave për trupat e reja ushtarake të regjistruara dhe rrit shpenzimet e përgjithshme ushtarake në 895 miliardë dollarë, ndërsa heq mbulimin financiar të trajtimeve mjekësore për ndryshimin e gjinisë, për fëmijët e pjesëtarëve të forcave të armatosura.

Projektligji për buxhetin zakonisht merr mbështetje të fortë dypartiake dhe në gati gjashtë dekada është miratuar përherë në Kongres, por në vitet e fundit është bërë një fushë beteje për çështjet sociale.

Projektligji “nuk është i përsosur, por përfshin disa çështje shumë të mira për të cilat kanë luftuar demokratët”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer. “Ka masa se si mund të kundërshtojmë Partinë Komuniste të Kinës në pikëpamje të sigurisë kombëtare”.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, shumica e demokratëve votuan kundër projektligjit muajin e kaluar, pasi drejtuesi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnon këmbënguli që në aktin ligjor të përfshihej heqja e mbulimit të trajtimeve mjekësore për ndryshimin e gjinisë, për fëmijët. Ligji kaloi me lehtësi me 281 vota pro dhe 140 kundër.

Udhëheqësit republikan në Senat argumentojnë se rritja me 1 përqid për shpenzimet për mbrojtjen nuk është e mjaftueshme, sidomos në një kohë të paqëndrueshmërisë globale dhe kur dominimi amerikan po sfidohet.

Republikanët në Senat kishin mbrojtur idenë për forcim të shpenzimeve të mbrojtjes këtë vit dhe planifikojnë një shtysë tjetër për më shumë fonde pasi të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, vitin e ardhshëm.

Buxheti vjetor përcakton politikat kyçe të Pentagonit, por ai duhet të mbështetet edhe nga akte të tjera nën ligjore.

Projektligji parashikon një rritje pagash prej 14.5 për qind për trupat e reja të forcave të armatosura të regjistruar dhe një rritje prej 4.5 për qind për të tjerët. Ligjvënësit thanë se një rritje e tillë është thelbësore për përmirësimin e cilësisë së jetës së forcave të armatosura në një kohë kur shumë familje ushtarake mbështeten tek programet e ndihmës qeveritare për të përballuar jetesën.

Legjislacioni orienton burime drejt një qasjeje më konfrontuese ndaj Kinës, duke përfshirë krijimin e një fondi që mund të përdoret për të dërguar burime ushtarake në Tajvan, në të njëjtën mënyrë që Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Ukrainën. Po ashtu, parashikohen investime në teknologji të reja ushtarake, duke përfshirë inteligjencën artificiale, dhe rritje të prodhimit të municioneve në Shtetet e Bashkuara.

Në vitet e fundit Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjithashtu përpjekje që të mos lejojnë ushtrinë që të blejë produkte kineze dhe projektligji i mbrojtjes e zgjeroi atë duke ndaluar mallra nga hudhrat tek teknologjia për dronët.

Ministria e Jashtme kineze iu përgjigj këtij zhvillimi duke e quajtur ndalimin diçka qesharake.

“Nuk mendoj se hudhrave do t’i shkonte ndonjëherë ndërmend se do të përbënte një “kërcënim të madh” për Shtetet e Bashkuara”, tha Mao Ning, një zëdhënëse e ministrisë.

Shtetet e Bashkuara thotë se duke filluar nga “dronët tek vinçat, nga frigoriferët tek hudhrat, gjithnjë e më shumë produkte të prodhuara në Kinë paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare”.

Por a ka ofruar Shtetet e Bashkuara ndonjë provë të besueshme për të mbështetur këto akuza?

Në Kongres, ligjvënësit republikanë dhe demokratë kanë qenë kryesisht të bashkuar në qëndrimin e tyre se Kina përbën një kërcënim në rritje. Por ato që shkaktuan ndarje mes ligjvënësve ishin çështjet kishin të bënin me luftën kulturore që në projektligj, për të cilin u deshën muaj për ta negociuar.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët kishte miratuar një version të projektligjit në qershor, që nëse do të kthehej në ligj do të kishte ndaluar Departamentin e Mbrojtjes që të rimbursonte kostot për anëtarët e shërbimit që udhëtojnë në një shtet tjetër për kryer një abort, të ofronte shërbim shëndetësor për fëmijët transgjinore të familjeve të ushtarakëve, si dhe eliminonte iniciativat mbi diversitetit në ushtri.

Shumica e këtyre propozimeve nuk u përfshinë në projektligjin përfundimtar, megjithatë republikanët presin që Presidenti i zgjedhur Donald Trump të bëjë ndryshime të gjera në politikën e Pentagonit pasi të marrë detyrën në janar.

Projektligji gjithashtu ndalon fondet për ushtrinë që të mësojë teoritë kritike mbi racës që përqendrohet tek marrëdhëniet mes koncepteve shoqërore mbi racën dhe përkatësinë etnike, ndalon mbulimin shëndetësor për trajtimin e ndryshimit të gjinisë për fëmijët nën 18 vjeç nëse kjo procedure mund të rezultojë në “sterilizim”.

Për disa demokratë, ndalimi i trajtimeve për fëmijët transgjinorë – kujdesi që ata thanë se mund të shpëtonte jetë – ishte një vijë e kuqe.

Në një fjalim, senatorja demokrate Tammy Baldwin, tha se ajo gjithmonë ka votuar për Aktin për Mbrojtjen Kombëtare (një seri ligjesh federale ku detajohet buxheti vjetor dhe shpenzimet e Departamentit amerikan të Mbrojtjes), por nuk do ta bënte një gjë të tillë edhe këtë vit. Ajo tha se ndryshimi i politikës për fëmijët transgjinorë do të prekë nga 6 dhe 7,000 familje, sipas vlerësimeve të zyrës së saj.

“Ligji ka mishëruar gjithmonë idenë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë, se pjesëtarët e shërbimit tonë dhe mbrojtja kombëtare nuk duhet të politizohen”.

“Për fat të keq, këtë vit kjo gjë u injorua dhe gjithçka u bë për të dëmtuar të drejtat e anëtarëve të shërbimit tonë dhe për t’u hequr kujdesin shëndetësor që u nevojitet fëmijëve të tyre”, shtoi ai./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!