Senati amerikan konfirmoi të hënën gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Amy Coney Barrett si anëtaren më të re të Gjykatës së Lartë me 52 vota pro dhe 48 kundër.
Senatorja republikane, Susan Collins iu bashkua të gjithë demokratëve të Senatit që votuan kundër emërimit të Barrett. Senatorja Collins tha se nuk do të votonte për emërimin e gjyqtares Barrett për shkak të momentit të zhvillimit të këtij votimi, kur mbeten tetë ditë deri në zgjedhjet presidenciale.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, në bazë të arkivave ekzistuese historike, asnjë anëtar tjetër i Gjykatës së Lartë nuk është konfirmuar pa mbështetjen e asnjë prej senatorëve të partisë opozitare, në të paktën 150 vite.
Barrett është e treta anëtare e Gjykatës së Lartë e emëruar nga Donald Trump. Me përfshirjen e Barrett, gjykata me nëntë anëtarë ka tani një shumicë të konsiderueshme konservatore prej 6-3.
Anëtari i Gjykatës së Lartë Clarence Thomas pritet të kryesojë ceremoninë e betimit të gjykatëses Barrett, e planifikuar të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë.
Demokratët kanë kundërshtuar emërimin e Barrett, duke shprehur rezerva si për përgatitjen e saj, ashtu edhe për procesin e plotësimit me kaq nxitim të vendit të gjykatëses Ruth Bader Ginsburg.
Demokratët kishin argumentuar se vendimi për zgjedhjen e një anëtari të ri të gjykatës duhet të ishte në dorë të kandidatit që do të fitonte zgjedhjet presidenciale.
“Senati po vepron siç duhet,” tha të dielën udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell. “Ne po vazhdojmë me procesin e emërimit”.
Trump e cilësoi emërimin e Barrett si “një ditë historike për Amerikën”.
“Kjo është një ditë historike për Amerikën, për kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe për qeverisjen e drejtë dhe të paanshëm të ligjit,” tha presidenti, duke qëndruar përkrah Barrett.
“Unë jam shumë e nderuar dhe e përulur,” tha Barrett menjëherë pasi emërimit.
Barrett do të jetë një nga gjyqtarët që do të vendosin më 10 nëntor nëse do të shfuqizohet Ligji për Kujdesin Shëndetësor, të cilin Trump ka kërkuar ta rrëzojë.
Ligji, i njohur gjerësisht si “Obamacare”, i miratuar gjatë administratës së ish-Presidentit Barack Obama në 2010, është një masë që siguron kujdes shëndetësor për miliona amerikanë.
Republikanët kanë argumentuar prej kohësh që Obamacare u kushton shumë taksapaguesve dhe i jep qeverisë shumë kontroll mbi kujdesin shëndetësor. Ata kërkojnë që Gjykata e Lartë të shfuqizojë ligjin, duke thënë se pa këtë dispozitë, pjesa tjetër e ligjit nuk mund të qëndrojë./abcnews.al