Sëmundjet autoiume, mjekja: Mos neglizhoni shenjat

schedule17:14 - 16 Janar, 2023

schedule 17:14 - 16 Janar, 2023

Viti 2022 shënoi fundin e pandemisë Covid-19, por sipas Dr.Shk.Albana Shahini, mjeke radiologe pranë Spitalit Amerikan 1, një sërë problematikash shëndetësore e pasuan atë duke nisur nga sindromi postviral i Covid-19 si dhe shtimi i një grupi patologjish ndër të cilat spikatën ato autoimune.

 “Ne si mjekë diagnostikë kemi evidentuar një rritje të frekuencës së këtyre patologjive ndaj do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen për të ndërgjegjësuar njerëzit të mos i neglizhojnë dhe të marrin trajtimin adekuat. Më frekuente janë sëmundjet autoimune të tiroides, si tiroiditi hashimoto, por edhe ato të lëkurës, hepatiti autoimun apo patologjitë ku vetë sistemi imuniar lufton pjesë të ndryshme të indit kolagjenoz”.

Dhimbja fizike, lodhje, skuqje të lëkurës, të përziera, dhimbje koke, marramendje, etj, janë disa nga simptomat e sëmundjeve autoimune të cilat nëse lihen patrajtuar mund të çojnë në komplikacione serioze e madje edhe në humbjen e jetës.

 “Pacientët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave klinike dhe të mos i neglizhojnë ato. Një situatë klinike jo shumë dramatike mund të jetë dhe fillimi i një sëmundje autoimune apo i një patologjie që meriton të trajtohet, ndërkohë kur shenjat janë shumë madhore sigurisht që ndoshta nuk është herët për t’i diagnostikuar. Pra mund të jemi në një stad të avancuar dhe perspektiva e sëmundjes është më e kufizuar.

Pandemia Covid-19 ka patur një ndikim negativ në shkallën e vdekshmërisë te pacientët e prekur nga kanceri.

“Do të doja të tërhiqja vëmendjen për sëmundjet malinje që vazhdojnë të jenë fokusi ynë kryesor i diagnostikimit, vecanërisht ato tek të cilat ekzistojnë shumë modalitete imazherike për t’i zbuluar dhe kemi shumë mundësi trajtimi, kirurgjikale dhe medikamente sidomos kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës që marin jetën”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!