Carlos Angel Roa është një personazh që duhet ta njohin të gjithë. Një njeri ndryshe nga shumë të tjerë në botën e futbollit, për shkak të gjithçkaje ka kaluar në jetë. Malarie, kancer në testikuj dhe braktisje e futbollit në momentin më të mirë të karrierës. Për të kishte rëndësi qetësia shpirtërore dhe nuk pendohet.
Padyshim një nga futbollistët me historinë më të çuditshme, ashtu sikurse edhe parashikimi për një apokalips në vitin 2000. Prej aty nisi gjithçka dhe jeta e portierit argjentinas ndryshoi përgjithmonë. “Gardiani”, i lindur më 15 gusht të vitit 1969 në Santa Fe, u shkëput përkohësisht nga futbolli dhe të gjithë u shastisën.
HAPAT E PARË NË KARRIERË – Carlos Roa e nisi gjithçka në vendlindje, aty ku për pesë sezone u aktivizua me klubin e famshëm të Racing. Debutoi që në moshën 19 vjeçare, në nëntor të vitit 1988. Më shumë se 100 paraqitje për Racing, ndërkohë që iu desh të përballej me një sfidë të vështirë që në fillim të karrierës. Klubi argjentinas, mori një vendim të çuditshëm për ta zhvilluar fazën përgatitore në Kongo. Atje Roa mori sëmundjen e malaries, që e mposhti më pas. Një futbollist si ai nuk mund të dorëzohej dhe e vijoi karrierën.
Në vitin 1994 Roa ndryshoi skuadër, pas pesë vitesh. Lanus ishte stacioni i radhës për të dhe ai zëvendësonte një idhull aty, portierin Marcelo Ojeda, i cili u transferua në Spanjë. Të njëjtën gjë bëri edhe Carlos, tre vite më pas. Paraqitje të mira për portierin, i cili arriti të fitonte Copa CONMEBOL në vitin 1996, një sukses historik për klubin nga Buenos Aires. Një vit më pas u ble nga Mallorca. Ai shkoi në Spanjë së bashku me Hector Cuper, i cili u bë i famshëm që në sezonin e parë në Spanjë. Vend i pestë në kampionat, si kurrë më parë, dhe finalistë në Kupën e Spanjës. Barcelona u hoqi mundësinë për të ngritur trofeun.
Carlos Roa fitoi një vend në kombëtare dhe në “France 1998” ai nuk pësoi asnjë gol në ndeshjet e grupeve. Argjentina më pas u përball me Anglinë. Dy gola në gjashtë minuta, Alan Shearer me penallti dhe më pas Owen, me golin e tij të famshëm. Në fund buzëqeshi Roa, duke qenë vendimtar me pritjen e penalltisë së David Batty. Rrugëtimi i Argjentinës më pas u ndërpre nga Holanda, por portieri nuk ishte përgjegjës dhe vijonte rritjen e tij dhe konfirmimin si një nga më të mirët në botë në atë periudhë.
Të rikthehemi te karriera në La Liga. U mendua se për Mallorca ishte fati i fillestarit, por jo. Klubi spanjoll ne sezonin pasardhës bëri edhe më mirë, duke u renditur në vendin e tretë në kampionat, pas Barcelonës dhe Real Madrid. Gjithashtu ata shkuan në finalen e Kupës së Kupave, ku u mposhtën nga Lazio. Carlos Roa vijonte të përmirësohej, duke pësuar gol çdo 108 minuta. Mallora pësoi 12 gola më pak se kampionët e Barcelonës dhe portieri argjentinas fitoi çmimin e famshëm, “Ricardo Zamora”. Gjithashtu ai u shpall Portieri i Vitit nga ESM (European Sport Magazines).
Mallorca kishte mundësinë të luante në kualifikueset e Champions League – sezoni 1999-2000 – dhe Roa ishte një ndeshje larg skenës së madhe të futbollit evropian për klube. Aty ai i futi shkelmin gjithçkaje. Portieri ishte i bindur se mijëvjeçari i ri do shënonte fundin e njerëzimit dhe vendosi ta mbyllte me futbollin, kur nuk i kishte mbushur ende 30 vjeç. Avionit dhe direkt në Argjentinë. Ai dhuroi të gjitha pasuritë e tij dhe u vendos në Villa de Sotro, një fshat i vogël në krahinën e Cordoda. Roa e kishte ndarë mendjen ta kalonte vitin e fundit të njerëzimit në një zonë malore dhe të bëhej një me Zotin.
“Në botë ka luftë, uri, shumë varfëri dhe përmbytje. Unë mund t’ju siguroj se ata njerëz që nuk kanë një lidhje shpirtërore me Perëndinë dhe nuk bëjnë atë jetë që Zoti do, atëherë do të kenë telashe”, deklaronte Roa, i cili ishte i bindur në kokën e tij që do të përgatitej për fundin e botës. “Asnjëherë nuk kam dashur të bëhem futbollist dhe nuk më mungon aspak. Jam i lumtur pa futboll”, do të thoshte për “Ole” portieri, i cili u gjet ku ndodhej vetëm pas gjashtë muajsh.
“Kudo pashë që u dukej e pakuptimtë. Si ndjekës i Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë, gjithmonë i merrja seriozisht përgjegjësitë e mia si i krishterë. Për shembull unë kurrë nuk kam ngrënë mish, ndaj edhe më vunë nofkën “sallata”. Jetova një vit në fshat, duke lexuar dhe mësuar si të jetoj një jetë më të mirë, më kuptimplotë. Vetëm ata që janë pranë jush mund ta kuptojnë atë që ke vendosur”, rrëfente portierit disa kohë më parë.
OFERTA E MANCHSTER UNITED – Roa ishte një nga portierët më të mirë në qarkullim dhe Manchester United e kishte piketuar si pasuesin e Peter Schmeichel. Mallorca do të përfitonte 10 milion dollarë, por argjentinasi nuk po bëhej i gjallë. Së fundmi ai ka folur edhe për ofertën e asaj periudhe nga Manchester United. “Në atë kohë isha shumë i lidhur me fenë dhe studimin e biblës.
Ishte një vendim i vështirë për t’u marrë, por në të njëjtën kohë isha i zhytur në mendime. Familja ime gjithashtu u pajtua me mua. Njerëzit në klub menduan se do të kthehesha dhe do të merrnin shumë para me atë transferim që do të ndodhte. Në aspektin shpirtëror ishte një vendim i mirë, kurse në aspektin sportiv jo. E lashë futbollin në momentin më të mirë që pata. Mund të kisha përparuar shumë, me kontrata të mira dhe me mundësinë për të luajtur në Angli”, tregon Roa.
RIKTHIMI – Mijëvjeçari i ri nuk solli ato të këqija që portieri mendoi dhe vendosi t’i rivishte sërish dorezat. Me kombëtaren e Argjentinës llogaritë ishin mbyllur. Mallorca ia hapi dyert sërish në vitin 2000 dhe Roa theksonte se ishte bërë një njeri më i mirë dhe kishte akoma më shumë dëshirë për të luajtur futboll. Gjithsesi tani ai ishte tjetër njeri dhe besimi fetar nuk ia lejonte të luante futboll të shtunave.
Për ta, ajo ishte disa e fundit e javës dhe duhet të qëndronte pushim. Mallorca e pranoi kushtin e portierit dhe kjo bëri që Roa të mos luante në shumë ndeshje. Vendin e tij e zuri Leo Franco, një tjetër argjentinas. Viti 2002 solli mbylljen e bashkëpunimit me Mallorca. Klubi spanjoll nuk ia rinovoi marrëveshjen dhe Carlos, 33 vjeç atëherë, tregon se mund t’i bashkohej Arsenalit.
“Bëra një provë tek Arsenali në vitin 2002. Arsene Wenger donte të nënshkruante, por unë nuk kisha një pasaportë europiane dhe nuk po luaja më me Argjentinën, gjë që do të më hapte dyert”, zbulon portieri, i cili më pas. Pranoi ofertën e Albacete. Paraqitje të mira dhe skuadra e tij u ngjit në La Liga dhe në sezonin pasardhës u rendit në vendin e 14-të.
https://twitter.com/i/status/1255528180284370944
SËRISH I SËMURË – Problemet nuk i ndaheshin portierit. Këtë herë, Roa, në vitin 2004 u përball me një tjetër sëmundje, gjatë sezonit të dytë me Albacete. Ai kishte kancer në testikuj dhe as nuk e besonte dot diçka të tillë, për shkak të jetës së tij të rregullt, pa abuzim me alkoolin dhe duhanin. Luftëtari argjentinas ia doli sërish dhe tregon gjithçka.
“Gjithçka po shkonte mirë, por Zoti më solli një tjetër sfidë, kancerin e testikujve. Isha përballur me një test të tillë te klubi im i parë, Racing, kur pas një turi në Kongo mora sëmundjen e malaries. Të qenurit i krishterë më ndihmoi, forca e besimit bëri që të bëj një luftë të jashtëzakonshme kundër kancerit. Nuk është diçka që mund ta përshkruaj, pasi duhet të jetoni me të për ta kuptuar.
Ishte përvoja më e keqe e jetës sime, por Zoti më dërgoi një shenjë, duke më thënë se do vazhdoja të jetoja. Ndihesha sikur kisha lindur përsëri. Pas sëmundjes më pëlqen jeta çdo ditë e më shumë dhe nuk bëj plane afatgjata. Pas kaq shumë vitesh duke u lutur, mësimi i parë është se duhet t’i përballoni të mirat dhe të këqijat me kokën lart”, deklaronte Carlos, për FourFourTwo.
MBYLLJA E KARRIERËS -Gjatë gjithë kohës Roa u mundua të ruante formën fizike dhe u stërvit në skuadra si CD Constancia and CD Atletico Baleares, klubet amatorë në zonën e Mallora. Nuk dëshironte ta linte futbollin dhe vendosi të kthehej në vendlindje, aty ku iu bashkua skuadrës së Club Olimpico. Një sezon aty dhe më pas iu fut fushës së trajningut.
Ai mbajti pozicionin e trajnerit të portierëve te Club Atlético Brown, për dy vite, për të kaluar më pas si zëvendëstrajner te Club Sportivo Ben Hur. Prej vitit 2011 është u bë ndihmës i Matias Almeyda, në klube si River Plate, Banfield dhe Guadalajara, ndërkohë që tani drejtojnë San Jose Earthquakes, në MLS. /VLADIMIR PRENGA – abcnews.al