Policia Kufitare në doganën e Kapshticës ka sekuestruar mëngjesin e sotëm 25 mijë Euro të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se shuma e parave posedohej nga shtetasi J.R., 46 vjeç dhe shtetasja bullgare D.D., 31 vjeç, të cilët po udhëtonin drejt Greqisë me makinë. Gjatë kontrollit në mjetin e tyre, u gjet e fshehur shuma prej 25 mijë Eurosh.
Paratë u sekuestruan, ndërsa 46-vjeçari dhe bullgarja janë proceduar në gjendje të lirë për veprën mosdeklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi.
Njoftimi i Policisë:
Vijon kontrolli i imtësishëm i mjeteve dhe qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Sekuestrohen nga Policia Kufitare 25000 euro.
Procedohen penalisht 2 poseduesit, të cilët nuk i deklaruan në kufi.
Në vijim të kontrolleve të imtësishme, me qëllim parandalimin e krimeve ndërkufitare, shërbimet e Policisë Kufitare në P.K.K Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, përzgjodhën për kontroll në vijën e dytë shtetasin J. R., 46 vjeç, nga Memaliaj, rezident në Greqi dhe shtetasen bullgare D. D., 31 vjeçe, të cilët udhëtonin me mjetin e tyre.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, këtyre shtetasve iu gjet një sasi prej 25000 eurosh, të fshehura në trup, të cilat nuk i kishin deklaruar para autoriteteve.
Veprimet në lidhje më këtë rast janë kryer nga specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në DVP Korçë, të cilët kanë filluar procedimin penal ndaj këtyre shtetasve.
/abcnews.al