Sektori i Arbitrimit në FSHF organizon seminarin teorik e teste fizike me arbitret dhe asistentet vajza

schedule19:40 - 10 Shkurt, 2024

schedule 19:40 - 10 Shkurt, 2024

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vijuar me testet fizike dhe seminarin teorik, teksa këtë herë ishte radha e arbitreve dhe asistenteve vajza që fillimisht i janë nënshtruar testeve fizike në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Ky procesi po kryhet në prag të rifillimit të kampionatit “Abissnet Superiore” për vajza, i cili do të startojë me pjesën e dytë të sezonit fundjavën e ardhshme.

Arbitret dhe asistentet vajza shfaqën një formë shumë të mirë dhe i kaluan me sukses testet fizik, ndërsa më pas kanë ndjekur seminarin teorik, ku janë diskutuar e analizuar edhe situata të ndryshme të ndodhura përgjatë fazës së parë të kampionatit.

Në një prononcim për fshf.org asistentja e cila mban edhe stemën e FIFA-s, Mirjeta Salla, shpjegoi rëndësinë që ka ky proces në prag të rifillimit të pjesës së dytë të sezonit në “Abissnet Superiore” për vajza.

“Jemi në pritje të fillimit të fazës së dytë. Jemi mbledhur të gjitha vajzat, arbitret dhe asistentet për të kryer testimet fizike si fillim, më pas do të vazhdojmë me seminarin teorik dhe video-testin në sallë. Do të diskutojmë edhe ecurinë e fazës së parë në kampionatin e vajzave. Gjatë seminarit do të merremi me pjesën teknike, me rregullat e lojës, pastaj do të diskutojmë edhe problematikat që kemi hasur gjatë fazës së parë si edhe mënyrën se si t’i përmirësojmë ato duke parë video dhe duke diskutuar rreth rregullave të ndryshme” – tha fillimisht Mirjeta Salla.

Më tej, ajo shtoi se synon që në të ardhmen të gjykojë në finalet e një kampionati të moshave për vajza.

“Duke parë edhe suksesin e vajzave tona, mund të themi që pjesa ndërkombëtare nuk është më një ëndërr e parealizueshme. Synojmë që të rrisim sa më shumë nivelin tonë në ndeshjet ndërkombëtare, pastaj personalisht dëshirojë që në vitet e ardhshme të jem pjesë e ndonjë turneu final të moshave të vajzave” – përfundoi Mirjeta Salla.

Edhe Erinda Kume e cila mban stemën e FIFA-s si asistente, duke folur për fshf.org vlerësoi testet fizike dhe seminarin teorik, duke shtuar se puna e bërë me përgatitësin atletik ka sjellë rezultate shumë të mira.

“Jemi në prag të rifillimit të pjesës së dytë të sezonit te kampionati i vajzave. Sapo kemi startuar me testimet fizke që po shkojnë shumë mirë. Gjithashtu është punuar shumë, FSHF ka caktuar përgatitës atletik që ka ndihmuar në ecurinë fizike të vajzave. Ne do të vazhdojmë me seminarin teorik si edhe video-testin” – tha fillimisht Erinda Kume.

Pas suksesit të arritur nga Emanuela Rusta dhe Edjena Kapxhiu duke gjykuar në një takim të UEFA Women’s Champions League, Erinda Kume zbuloi ndeshjen e radhës që do të gjykojnë në arenën ndërkombëtare. Më datë 23 shkurt sërish Emanuela Rusta si arbitre kryesore së bashku me Koleta Prengën dhe Erinda Kumen si asistente, do të vendosin drejtësi në ndeshjen miqësore për vajza, Itali-Irlandë.

“Përveç ndeshjes që gjykoi Emanuela së bashku me Edjenën, ne kemi një ndeshje miqësore në Itali, më datë 23 shkurt. Italia do të përballet me Irlandën dhe ndeshjen do ta gjykojë Emanuela Rusta, unë dhe Koleta Prenga”- përfundoi Erinda Kume. /FSHF