Myrto Uzuni u shpall kampion në Hungari me fanellën e Ferencvaros dhe ishte protagonist, duke shënuar dy gola në derbin kundër Ujpest. Me triumfin 3-0 skuadra e beratasit siguroi matematikisht titullin dhe për herë të parë Uzuni iu gëzua një trofeu.
“E kam ëndërruar të jem kampion që kur isha fëmijë, tani erdhi koha dhe ia dola. Në shtëpi, në Shqipëri, kam qenë në gjendje të luaj dy finale dhe i humbëm të dyja, ndërsa si lojtar i Ferencvarsos u ngjita në majë menjëherë.
Kemi kaluar një mbrëmje të paharrueshme, isha shumë i lumtur dhe nuk mund t’i përshkruaj ndjenjat e mia as tani. Isha i lumtur edhe sepse kemi bërë një punë të mirë gjatë gjithë sezonit dhe morëm suksesin që meritonim
Kjo e bëri natën e së martës edhe më të ëmbël. Ne festuam në dhomën e zhveshjes për një kohë të gjatë, bëmë fotografi, video të shkurtra me njëri-tjetrin dhe më pas vazhduam festimin në një ambient tjetër”, tregon Uzuni në intervistën e dhënë për “Magyar Nemzet”.
Pas golit të shënuar sulmuesi anësor u pa të formonte një numër me gishta dhe zbulon pse e bëri diçka të tillë: “I dërgova një mesazh mikut tim më të mirë në skuadër, Adnan Kovačević. Fatkeqësisht u dëmtua para disa kohësh. Kemi biseduar shumë para derbit me njëri-tjetrin, u operua vetëm një ditë para ndeshjes.
Për fat të mirë ai e ka kaluar me sukses dhe mund të kthehet së shpejti në fushë. Ai mban fanellën me numri pesëmbëdhjetë, që e tregova me gishta kur festova golin. Ai u bë shoku im më i mirë në Hungari, gjithmonë besonte tek mua. Para ndeshjes, të martën, ai më tha se ishte i sigurt që do të shënoja dy gola. Parashikimi i tij doli”.
Në fund, Uzuni flet edhe për atë që e pret: “Menjëherë pas përfundimit të kampionatit më duhet të udhëtoj në ekipin kombëtar, fillimisht kundër Uellsit dhe pastaj kundër Çekisë në Pragë. Pastaj do të kthehem në Frad për ndeshjet kualifikuese të Champions League. Nuk do të ketë pushim, por nuk ka problem. Futbolli është jeta ime dhe unë zgjodha këtë jetë”. /abcnews.al