Elon Musk ka urdhëruar fshehurazi inxhinierët që punojnë për të që të fiknin rrjetin e shërbimit të internetit të ofruar nga sateliti Starlink pranë gadishullit të Krimesë, sipas asaj që shkuan media amerikane CNN. Arsyeja e këtij vendimi ishte pasi u zbulua se Ukraina po planifikonte të kryente një sulm të fshehtë kundër flotës detare ruse.
Këto detaje të reja që vënë Elon Musk në qendër të vëmendjes edhe sa i përket luftës mes Rusisë dhe Ukrainës janë zbuluar nga biografia e re që po shkruhet për CEO-n e kompanisë Space X nga Walter Isaacson, autorin e mirënjohur që ka shkruar edhe biografinë e Steve Jobs dhe atë të Albert Einstein.
CNN shkruan se në momentin që dronët detarë ukrainas u bënë gati të sulmonin flotën detare ruse, gjurmimi i këtyre dronëve u bë i pamundur pasi Musk urdhëroi fikjen e shërbimit të internetit nga sateliti Starlink. Elon Musk mori këtë vendim pasi ai frikësohej se nëse do të lejonte Ukrainën që të sulmonte flotën detare ruse, Kremlini mund të kundërpërgjigjej ndaj Kievit duke përdorur armët bërthamore.
Kjo frikë e Elon Musk ishte e arsyetuar pasi ai kishte biseduar më herët me zyrtarë të lartë rus. Në biografinë e njeriut më të pasur të botës, e cila pritet të publikohet më 12 Shtator shpjegohen edhe bisedat e Elon Musk me Këshilltarin e Presidentit amerikan, Joe Biden për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan, gjeneralin e lartë Mark Milley si dhe ambasadorin e SHBA-ve mbi situatën sa i përket luftës mes Moskës dhe Kievit./abcnews.al