Jetëgjatësia nuk është më një mister i paarritshëm, por një formulë që mund të ndërtohet çdo ditë. Sipas ekspertit të shëndetit publik dhe shkencave sportive Jorges Xhoxhi, vetëm 25% e jetëgjatësisë lidhet me fatin, ndërsa 75% është rezultat i strategjisë sonë të përditshme.
Prej 7 vitesh, ai e ka kthyer këtë filozofi në mision, duke punuar edhe në Gjermani për të ndihmuar njerëz të çdo moshe të jetojnë më gjatë dhe më mirë. Koncepti i “Zonës 100” që ai promovon nuk është thjesht një ide, por një mënyrë jetese që bashkon aktivitetin fizik, ushqimin dhe shëndetin mendor.
Një nga rreziqet më të mëdha moderne? Puna në zyrë. Qëndrimi i gjatë ulur konsiderohet një “armik i heshtur” për zemrën dhe metabolizmin. Zgjidhja nis thjesht: ecje 15-25 minuta, dy herë në javë, ushtrime të lehta, e më pas progres drejt kardios dhe forcës.
Sipas tij, 7000 hapa në ditë mund të reduktojnë ndjeshëm rrezikun e vdekjeve të parakohshme, sëmundjeve të zemrës, depresionit dhe diabetit. Njerëzit që jetojnë gjatë nuk janë domosdoshmërisht frekuentues të palestrave, ata thjesht nuk ndalen së lëvizuri.
Në pjatë, sekreti është balanca: ushqimet bimore në qendër, mish më rrallë, produkte të papërpunuara dhe të plota. Proteinat bimore, fibrat dhe omega-3 luajnë rol kyç në mbrojtjen e trupit dhe reduktimin e inflamacionit.
Muskujt, sipas Xhoxhit, janë “ilaçi” më natyral kundër plakjes, një investim që nuk blihet, por ndërtohet. Ndërkohë, aktivitete si ecja dhe biçikleta mbeten forma të thjeshta, por shumë efektive për një jetë të gjatë.
Por jetëgjatësia nuk është vetëm fizike. Menaxhimi i stresit është thelbësor: frymëmarrja e kontrolluar, ulja e kortizolit dhe teknika të thjeshta si “shkundja e trupit” ndihmojnë në balancimin e sistemit nervor./abcnews.al


