Neuroshkencëtarë, psikologë dhe të tjerë studiues po fillojnë që të kuptojnë më mirë konceptin e “fitores” dhe kanë zbuluar një seri lidhjesh befasuese mes kimisë së trurit, teorisë sociale dhe ekonomisë. Të vëna së bashku, këto lidhje na ofrojnë tregues mbi arsyet përse disa persona janë fitues dhe disa të tjerë jo
Andre Agassi po humbiste keqas. Pas një fillimi karrierë të rrufeshëm, gjatë të cilit kishte spikatur për reagimin më të mirë ndaj shërbimeve të kundërshtarit dhe për reflekset më të shpejtë të rrethit tenistik, në fillimin e viteve nëntëdhjetë ai ishte shndërruar në premtimin klasik e të përjetshëm: koleksiononte humbje dhe shembej në mënyrë sistematike në ndeshjet finale.
Në mars të vitit 1994, në Key Biscayne në Florida, Agassi humbi kundër një Pete Samprasi të shkatërruar nga një helmim prej ushqimit, që e kish pësuar disa minuta përpara se të niste ndeshja. I mërzitur në kulm dhe pa një drejtim, pranoi që të shkojë për darkë me një trainer të ri potencial, një ish tenist, stilin e të cilit nuk është se e admironte në mënyrë të veçantë. Brad Gilbert ishte anti-Agassi: një lojtar modest që shpesh herë kishte arritur të fitonte ndeshje në të cilat nuk dukej të kishte as edhe një shans.
Gilbert sapo kishte botuar një libër: “Winning ugly” (të fitosh duke luajtur keq). Gjatë darkës në Key Biscayne, Agassi i kërkoi atij një gjykim të ekuilibruar e të pangarkuar me pasion për mënyrën e tij të të luajturit tenis. Përse vazhdonte të humbiste kundër tenistëve që ishin më pak të zotë se ai? Gilbert e kritikoi për rendjen e tij të kotë drejt perfeksionit. Në vend që të tentonte për një goditje fituese në çdo pikë, duhej të kufizohej në rikthimin e topit në fushë dhe të priste kundërshtarin që të kryente ai një gabim. Në autobiografinë e tij, “Open”, Agassi kujton fjalët e Gilbert: “Miku im, gjithçka është në kokë. Me talentin tënd, nëse fizikisht je në vetëm 50 përqind të formës por në kokë je në 95 përqind të formës, fiton me siguri. Nëse fizikisht je në 95 përqind të formës dhe me kokë je në 50 përqind, atëherë do të humbasësh, humbasësh dhe do të vazhdosh të humbasësh”.
Agassi e zgjodhi menjëherë si trainer dhe Gilbert filloi të punojë mbi lojën e tij. Në fillim, humbjet vazhduan, por dalëngadalë erdhën fitoret e para në ndeshje të cilat Agassi i madh në moshë do t’i kishte humbur. Kështu, pesë muaj më vonë, tenisti fitoi të parin US Open, duke i marrë përpara në mënyrë të pamëshirshme kundërshtarët. “Rashë në gjunjë”, shkruan Agassi në autobiografinë e tij teksa kujton ato momente. “Sytë mu mbushën me lotë. Pashë nga këndi im… gjithçka që dëshiron të dish për dikë e kupton kur e sheh në fytyrë në momentin e triumfit tënd më të madh. Kisha besuar që në fillim në aftësitë e Brad, por tani, duke parë gëzimin e tij të pastër dhe të pakushtëzuar për mua, besoj tek ai pa kushte”.
Më në fund, mendja e tij ishte çliruar. Agassi i qethi zero baluket mitike dhe mposhti Samprasin në katër sete në finalen e fitores së tij të dytë në një turne të Grand Slam, Australia Open në vitin 1995, kohë kur edhe u ngjit për herë të parë si numri një në klasifikimin botëror. Në karrierën e tij të gjatë do të kishte edhe shumë humbje të tjera. Por Andre Agassi kishte mësuar të fitonte.
Çfarë e dallon një fitues nga një humbës? Përgjigja më evidente është që, të paktën në sport, ai që fiton ka një dhunti që të vdekshmit e zakonshëm nuk e kanë.
Por gjendja fizike nuk shpjegon gjithçka. “Në botë ka më shumë lojtarë me talent të madh se sa lojtarë fitues”, këmbëngul Timothy Gellwey, autor i shumë librave mbi komponentin mendor në tenis, në golf dhe në disiplina të tjera sportive. “Nga një pikë vështrimi, fituesit janë ata që nuk i vënë vetvetes shkopinj në rrota. Ndërhyjnë sa më pak të munden në shprehjen e pastër të talentit të tyre. Për t’ia dalë mbanë, në fillim duhet të fitojnë luftën me frikën, me dyshimin, me pasigurinë. Dhe këto nuk janë aspak fitore të vogla”.
Sipas këtij përcaktimi, fitorja është një koncept që nuk kufizohet në konkurimin fizik sportiv: mund të shtrihet në shah, në garat e spelling-ut, në botën e punës e madje edhe në luftëra. Natyrisht që nuk mund të shtrihet në gjithçka. Madhësia e definicionit tonë të “të fituarit” tregon se nuk ekziston një gjen i vetëm i fitores që të jetë në gjendje të përfshijë të gjithë fushat, as edhe një fenomen cerebral që të jetë në gjendje të transformojë këdo në kampion. Megjithatë, neuroshkencëtarë, psikologë dhe të tjerë studiues po fillojnë që të kuptojnë më mirë konceptin e “fitores” dhe kanë zbuluar një seri lidhjesh befasuese mes kimisë së trurit, teorisë sociale dhe ekonomisë. Të vëna së bashku, këto lidhje na ofrojnë tregues mbi arsyet përse disa persona janë fitues dhe disa të tjerë jo.
Hapa të mëdhenj janë bërë në studimin e dominimit, një zëvendësues shkencor i saktë i konceptit të fitores. Për vite të tërë, shkencëtarët kanë menduar se dominimi në pjesën më të madhe përcaktohet prej testosteronit: sa më shumë që ke, aq më e madhe mundësia të mbizotërosh, dhe jo vetëm në sport. Një nivel i lartë testosteroni është i dëshirueshëm edhe në një këshill administrativ, në një gjykatë dhe në të gjithë konkurset që vlerësojmë riskun dhe kurajën. 25 vjet më parë, shkencëtarët kanë demonstruar se hormonet kanë një rol në ciklet fitues. Çdo fitore jep një injeksion testosteroni, që nga ana e tij jep një avantazh në përballjen pasardhëse, ku do të prodhohet sërish testosteron.
Megjithatë, disa studiues të universitetit të Texasit dhe të Columbias kanë zbuluar se testosteroni është i dobishëm vetëm kur rregullohet nga sasi të vogla të një tjetër hormoni, kortizoli. Për ata që kanë shumë kortizol në gjak, nga ana tjetër, një nivel i lartë testosteroni mund të jetë një pengesë për fitoren. Gjithnjë në Columbia, një grup studiuesish është duke vënë në provë shkencën e re të dominimit, duke u marrë kampionë pështyme studentëve të masterit në ekonomi, për të matur nivelin e testosteronit dhe të kortizolit. Secili student merr udhëzime për të mbajtur në ekuilibër të dy hormonet: duhet të hajë drithëra integralë dhe të eleminojë kafenë për të ulur kortizolin; duhet të shkojë në palestër dhe të marrë vitamina B për të rritur testosteronin. Lideri ideal, shpjegon profesori Paul Ingram është “i qetë, por dallohet për një shtytje të fortë drejt dominimit”. Kjo gjë vlen si për burrat, edhe për gratë dhe, në teori, vlen për “fitoren” në situata të ndryshme, për shembull një kontratë, një ngritje në detyrë etj.
Kjo shkencë e re na ndihmon për të hedhur dritë mbi fitues të mëdhenj të së kaluarës. Provojmë të ekzaminojmë rastin e atij që ka qenë ndoshta më i zoti nga të gjithë në shkatërrimin e kundërshtarëve në sfidat e arsyetimit: kampioni i shahut Bobby Fischer. “Konsumohej nga një dëshirë e madhe për të shkatërruar kundërshtarin”, thotë Liz Garbus, regjisore e dokumentarit Bobby Fischer kundër botës. “Bobby argëtohej kur dëshpëronte ata që kishte përballë. Kishte diçka sadiste në sjelljen e tij”.
Përpara sfidës legjendare kundër rusit Boris Spassky, në vitin 1972 në Islandë, Fischer iu nënshtrua një stërvitjeje intensive në palestër. Përgatitësit të tij i kish thënë që kur t’ia shtrëngonte dorën Spasskyt, do ia shtrydhte fare. Sa më shumë afrohej ndeshja, aq më shumë zig-zage bënte Fischer duke bërë kërkesa gjithnjë e më absurde dhe duke e lodhur kundërshtarin që përpara se të fillonte ndeshja. “Nuk besoj në psikologjinë”, thoshte Fischer kur flitej për lojërat mendore. “Besoj në lëvizjet e duhura”.
Para syve të të gjithë botës, Fischer u paraqit më në fund në Reikiavik, dhe me pikaverazhin në barazim 2 e gjysmë me 2 e gjysmë, bëri me një ftohtësi të admirueshme një lëvizje që e la Spasskyn pa gojë: ushtarin në c4. Fischer hapej gjithmonë, pavarësisht nga mbreti, dhe ky ishte i vetmi konfigurim i lojës që Spassky kishte studiuar. Kështu që, ai ishte i papërgatitur për këtë situatë të re. Nga një tip luftarak e i pamëshirshëm Fischer kish zgjedhur një lëvizje të hollë, të cilën e shoqëroi më pas me një sulm tjetër. Spassky nuk ishte më në gjendje të merrte veten: arriti të fitojë vetëm një nga 15 neshjet pasardhëse. Falë forcës mendore dhe kokteilit testosteron-kortizol, Fischer ishte numri 1 në botë.
Çfarë ka më mirë se sa fitorja? Të fitosh ndërkohë që një tjetër humbet. Një eksperiment i një ekonomisti të universitetit të Bonnit në Gjermani ka treguar se kur merr një çmim për arritjen e një objektivi ka shumë më tepër kënaqësi nëse dikush tjetër nuk e arrin objektivin ose del më keq. Rezultati është në kundërshtim me teoritë ekonomike tradicionale, sipas të cilave shpërblimi absolut është motivimi qendror i çdo individi.
Ky është një prej inkursioneve të shumtë të neuroekonomisë në dinamikat sociale të fitores. Studimet neuroekonomike, një fushë e re ku përzihen elementë të neuroshkencës, ekonomisë dhe psikologjisë për të pikasur motivimin e zgjedhjeve individuale, i përkasin shpesh sistemit prapaminergjik, një zonë e trurit e lidhur me shpërblimin dhe pritshmërinë për shpërblim.
Natyrisht që të gjithëve u pëlqen të fitojnë. Por SHBA, që kanë lindur duke fituar në fushëbetejë, kanë një raport të veçantë me fitoren. “Kur të gjithë ju keni qenë fëmijë, keni admiruar më të zotin në lojën me top, më të shpejtin në garë, boksierin më të fortë, kampionët e bejsbollit, futbollistët më të mirë”, u thoshte dikur gjenerali George S. Patton një grupi ushtarësh së SHBA në Angli. “Amerikanët i duan fituesit”, thoshte Patton. “Nuk do i toleronin kurrë humbësit”. Një ditë më vonë ishte 6 qershori 1944, D-Day, dhe ushtarët ishin ata që do të pushtonin Normandinë. Të gjithë e dimë ku ta vendosim atë ditë në kolonën e fitoreve dhe të humbjeve.
Po përse i admirojmë fitimtarët? Sepse vëmë në lojë edhe lumturinë tonë kur i shohim të garojnë? Në një nivel të caktuar të aktivitetit tonë mendor imagjinojmë sikur jemi në vend të tyre. Në 4 nëntor 2008, nata e zgjedhjeve të parafundit presidenciale, disa neuroshkencëtarë të Duke University dhe të Universitetit të Michiganit i dhanë çamçakëz një grupi zgjedhësish. Morën disa kampionë në orën 8 të mbrëmjes, ora e mbylljes së kutive, dhe më pas në 23.30, kur u shpall fitorja e Barack Obamas. Normalisht, në atë orë, niveli i testosteronit ulet, por mes mbështetësve të Obamës kish ndodhur e kundërta. Ndërkohë, hormoni kish pësuar rënie tek zgjedhësit që kishin votuar për McCainin.
Po kjo gjë reflekton atë që ndodh në mendjen e atyre që garojnë. E njëjta gjë vlen edhe për personat që ndjekin futbollin, basketbollin dhe çdo lloj sporti, që nga ndeshjet e mëdha të Andre Agassit deri tek sfida e Bobby Fischer ndaj rusëve. Përse ne “vdesim” të fitojmë? Sepse na bën të dashurojmë vetveten. /Focus/