Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s vizitoi Ukrainën, takim me Presidentin Zelensky

schedule15:27 - 3 Tetor, 2024

schedule 15:27 - 3 Tetor, 2024

Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi këtë të enjte Ukrainën, ku u takua me presidentin e vendit, Volodymyr Zelensky dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për Kievin. Kjo është vizita e parë zyrtare e Rutte që kur ai mori detyrën si kreu i Aleancës të martën, shkruan AP.

Ai u takua me Zelensky në Kiev ndërsa sirenat ranë dy herë në kryeqytetin ukrainas gjatë asaj kohe. Zelensky diskutoi me Rutte situatën në front, si dhe “planin e fitores” të Ukrainës përpara takimit të NATO-s në bazën Ramstein në Gjermani javën e ardhshme.

Presidenti ukrainas tha se do të dëshironte që aleatët të rrëzonin raketat dhe dronët iranianë që sulmojnë Ukrainën, siç bënë gjatë sulmeve iraniane ndaj Izraelit. Ai gjithashtu u kërkoi aleatëve të lejojnë sulme thellë në territorin rus.

Të dy zyrtarët diskutuan gjithashtu nevojat specifike të ushtrisë ukrainase. Zelensky theksoi se Kievit i duhen më shumë armë, duke përfshirë armë me rreze të gjatë. Rutte përsëriti mbështetjen e palëkundur të Aleancës për Ukrainën, duke deklaruar se vendi është më afër se kurrë anëtarësimit në NATO.

Ai shtoi se hapat e fundit të NATO-s po “ndërtojnë një urë për anëtarësimin e Ukrainës”, duke përfshirë 40 miliardë euro ndihmë, marrëveshje dypalëshe sigurie midis aleatëve dhe formimin e një komande të re për koordinimin dhe trajnimin e ndihmës së NATO-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!