Sekretari Blinken në Paris

schedule14:57 - 25 Qershor, 2021

schedule 14:57 - 25 Qershor, 2021

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Francë, ndalesa e tij e fundit e një turneu evropian, ku ai do të takohet sot me Presidentin Emmanuel Macron, pas takimeve kohët e fundit të Presidentit Joe Biden me aleatët në rajon për të zgjeruar marrëdhëniet transatlantike.

“Gjatë këtij udhëtimi, Sekretari Blinken do të theksojë rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit transatlantik, përgjigjen tonë të përbashkët ndaj krizës shëndetësore, trajtimin e krizës së klimës dhe rëndësinë e forcës së partneritetit tonë afatgjatë”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Franca vazhdon të jetë “një partnere e palëkundur në luftën kundër terrorizmit”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, duke shtuar se të dy vendet “bien dakord mbi nevojën për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimtaritë e saj agresive dhe destabilizuese, përfshirë në Ukrainë”.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca bashkëpunojnë për çështje të tilla si “të drejtat e njeriut dhe korrupsionin” për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Republikës Popullore të Kinës për të “shkatërruar vlerat dhe institucionet që sigurojnë zbatimin e rregullave ndërkombëtare”.

Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të punojnë me Francën në zbatimin e financimeve për klimën për të arritur synimet e Marrëveshjes së Parisit dhe për përshpejtimin e tranzicionit drejt ekonomive me energji të pastërt për të arritur emetimin zero deri në mes të shekullit”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Të enjten, ndërsa ishte në Berlin, sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania po bashkëpunojnë për të kundërshtuar mohimin e Holokaustit dhe antisemitizmin, një përpjekje që Sekretari i Shtetit tha se “do të siguronte që brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të mësojnë për Holokaustin dhe gjithashtu të nxjerrin mësime prej tij”.

Duke folur në Memorialin për Hebrenjtë e Vrarë të Evropës në Berlin, sekretari Blinken tha se mohimi i Holokaustit dhe antisemitizmi shkojnë krah për krah me homofobinë, ksenofobinë, racizmin dhe format e tjera të diskriminimit dhe janë bërë “thirrje bashkimi për ata që kërkojnë të shkatërrojnë demokracitë”.

“Kjo është arsyeja përse ne duhet të gjejmë mënyra të reja për të sjellë në jetë historitë e Holokaustit, jo vetëm për të kuptuar të kaluarën, por edhe për të drejtuar të tashmen dhe për të formatuar të ardhmen tonë”, tha diplomati i lartë amerikan.

Ai dhe Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas nënshkruan një dokument mbi partneritetin dypalësh. Sekretari Blinken tha se të dy qeveritë do të punojnë për të forcuar edukimin dhe për të kundërshtuar mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit, duke ndihmuar nëpunësit publikë dhe të rinjtë të kuptojnë Holokaustin dhe antisemitizmin në thellësi dhe të ndiejnë një përgjegjësi për të ndaluar mizoritë”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!