Inflacioni ka shënuar rritje në vendin tonë. Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko inflacioni shënoi një rritje të shpejtë në 3 mujorin e katërt duke arritur në 3.7 % në muajin dhjetor 2021. Kjo sipas tij është shkaktuar si nga faktorë të qëndrueshëm, të lidhur me rritjen progresive të kërkesës, të punësimit dhe të pagave, ashtu edhe nga faktorë tranzitorë, të lidhur me rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
“Informacioni i ri i marrë në analizë tregoi zgjerimin e shpejtë e të qëndrueshëm të aktivitetit të brendshëm ekonomik gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe përshpejtimin e inflacionit në tremujorin e katërt. Rritja e inflacionit është shkaktuar si nga faktorë të qëndrueshëm, të lidhur me rritjen progresive të kërkesës, të punësimit dhe të pagave, ashtu edhe nga faktorë tranzitorë, të lidhur me rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Projeksionet tona sugjerojnë rritje të mëtejshme të ekonomisë në vitet në vazhdim. Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare. Megjithatë, ndikimi i tyre në inflacion pritet të vijë drejt shuarjes graduale gjatë vitit 2022. Më tej, inflacioni pritet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv gjatë vitit 2023, në pasqyrim të balancimit të kërkesës me ofertën dhe të rritjes së punësimit dhe pagave në linjë me produktivitetin.
Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend.
Inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë gjatë tremujorit të katërt, duke arritur vlerën 3.7% në muajin dhjetor. Inflacioni është i pranishëm në çmimet e thuajse të gjithë artikujve të shportës së konsumit, çmimet e të cilëve përcaktohen lirisht në treg. Megjithatë, përshpejtimi i tij në tremujorin e katërt u diktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve të përpunuara dhe të naftës.
Në terma makroekonomikë, rritja e shpejtë e inflacionit në tremujorin e katërt pasqyroi si veprimin gradual e të qëndrueshëm të faktorëve të kërkesës, ashtu dhe ndikimin e fortë – por tranzitor – të goditjeve të ofertës. Nga njëra anë, rritja e vazhduar e kërkesës për mallra e shërbime, është shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave, si dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Kjo ecuri është pasqyruar në trendin rritës të inflacionit bazë gjatë vitit 2021. Nga ana tjetër, rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, të lëndëve energjetike, të kostove të transportit dhe të mallrave bazë në tregjet botërore, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e inflacionit në tremujorin e katërt”, tha Sejko.
Sejko pohoi se pavarësisht se ekonomia po pëson rritje, probleme po hasen në punësim. Sa i takon situatës ekonomike, Guvernatori tha se rritja do të vazhdojë edhe për vitet në vijim.
“Në nivel global, rimëkëmbja e ekonomive nga goditja e pandemisë është e fortë, por e pabarabartë midis vendeve. Po ashtu, ajo vazhdon të karakterizohet nga probleme në zinxhirët e furnizimit dhe mungesa në fuqinë punëtore. Kërkesa e fortë për mallra e shërbime, kufizimet në ofertë dhe çmimet e larta të energjisë elektrike kanë shtyrë lart inflacionin global. Në këtë kontekst, perspektiva e politikës monetare globale është drejt normalizimit, çka është reflektuar edhe në sjelljen e tregjeve financiare ndërkombëtare.
Ekonomia shqiptare parashikohet të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim. Rritja e aktivitetit pritet të mbështetet si nga kërkesa e brendshme dhe nga ajo e huaj, duke pasqyruar kushtet e favorshme të financimit, përmirësimin e besimit dhe të bilanceve të sektorit privat, si dhe rritjen e kërkesës në ekonomitë partnere. Përkundrejt niveleve të larta të vitit 2021, normat e rritjes ekonomike pritet të vijnë në reduktim gjatë vitit 2022 e në vazhdim”, shtoi ai.
/abcnews.al