Seanca dëgjimore ndaj Azem Kurtaj, Avokati: Qëlloi për vetëmbrojtje

schedule17:13 - 8 Janar, 2023

schedule 17:13 - 8 Janar, 2023

Avokati mbrojtës i Azem Kurtaj ka kundërshtuar gjatë seancës së sotme gjyqësore akuzën për tentativë vrasje ndaj tij, duke thënë se ngjarja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Në intervistën e dhënë për KosovaPress, avokati Naim Ferhati ka thënë se pjesëtari i Forcave të Sigurisë Kombëtare është vetëmbrojtur dhe nuk ka dashur ti vrasë ata, por ka qëlluar drejt asfaltit në rrugë.

“…papritmas është bllokuar nga një turmë e njerëzve dhe ka filluar sulmi i papritur dhe në mbrojtje të nevojshme është detyruar për të shmangur sulmin dhe për t’u liruar nga ajo hapësirë ku ishte dhe ka shtënë me armë në drejtim të tokës, por asnjëherë nuk është drejtuar arma në drejtim të personave. Dhe gjitha veprimet që janë kryer, janë në vetëmbrojtje, nuk ka asnjë element tjetër që është pretenduar deri më tash”, tha Ferhati.

Po ashtu, Ferati thekson se Kurtaj ishte bllokuar nga turma e serbëve dhe kishin filluar ta sulmojnë, dhe për këtë arsye ai ka përdorur armën e tij personale.

“Me armë personale të cilën e kishte me vete në posedim, nuk kishte asnjë motiv as etnik, as motiv për kryerjen e veprës penale, por kjo ishte një ngjarje e rastit që ndodhi aty për aty me qëllim që të vetëmbrohet… Tash pritet brenda ditës që të merret vendimi, bëhet publik përmes uebfaqes së gjykatës”, u shpreh Ferhati.

Pas seancës dëgjimore, avokati Naim Ferati thotë se ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, për të cilat është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Azem Kurtaj dyshohet se ka qëlluar ndaj dy të rinjve serbë në Komunën e Shtërpcës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!