Milani u eliminua nga Europa League dhe tani duhet të fokusohet në kampionat. Interi kryesues ndodhet 9 pikë larg dhe Zlatan Ibrahimovic beson akoma te titulli kampion.
Sulmuesi suedez analizoi humbjen 0-1 kundër Manchester United, karikon shokët e skuadrës dhe e mbyll me një batutë për Paul Pogba, i cili i dhuroi kualifikimin “Djajve të Kuq” me golin e shënuar.
“Jemi shumë të zhgënjyer, është normale. Na mungoi vetëm goli, teksa United shënoi në rastin e parë që krijoi. Nuk e meritonim eliminimin, por momentet negative të ndihmojnë për t’u rritur.
Duhet të shohim përpara, kampionati nuk ka përfunduar akoma. Unë dua të luaj për të fituar. Nëse kualifikohemi në Champions bukur, por unë dua të fitojë trofe.
Rinovimi? Nuk flas për vitin e ardhshëm, jam i fokusuar tek e tashmja. Mungesat nuk janë justifikim, në skuadrën tonë të gjithë janë të gatshëm për të luajtur dhe dhënë gjithçka.
Ne besojmë shumë te cilësitë tona, djemtë kanë shpirt sakrifice. Sigurisht që unë i kam sjellë ekipit mentalitetin e fituesit. Nuk pranoj humbje në stërvitje, aq më pak në ndeshje…
Pogba? Të gjithë e dinë që Paul është i fortë, nuk është sekret. Gjithçka varet nga sa je i lumtur dhe sa ndihesh mirë te një skuadër. Nuk është e thjeshtë kur nuk je plotësisht i kënaqur“, përfundoi Ibra. /abcnews.al