S’e kanë me Bajramin, por me istikamin

schedule23:43 - 4 Qershor, 2022

schedule 23:43 - 4 Qershor, 2022

Nga Skënder Minxhozi:

Me logjikën e Sali Berishës sot duhet të kishim asistuar në zgjedhjen president të Damian Gjiknurit ose Bledi Çuçit. Këtë tregon historia politike e tetë viteve kur PD zgjidhte kreun e shtetit, nga pozita e shumicës qeverisëse, duke çuar në Presidencë Bamir Topin dhe Bujar Nishanin. Nuk do të kishte asgjë të keqe që sot të ishte zgjedhur një socialist në krye të shtetit, pasi siç është thënë jo rrallë, në 30 vitet e fundit Shqiqëria ka pasur vetëm një kryetar shteti nga rradhët e forcës më të madhe politike të vendit.

“Konklava” socialiste nxorri fitues Bajram Begajn, shefin e shtabit të përgjithshëm, i emëruar e i dekoruar nga Ilir Meta. Presidenti në detyrë nuk e la përgjysëm ‘angazhimin’ ndaj pasardhësit të tij: e firmosi dekretin e lirimit nga detyra të Begajt si shef shtabi, që nga Turqia e largët. Për t’ja lënë më pas fushën të lirë shpërthimit të pritshëm të Sali Berishës në Kuvend, i cili deklaroi se papritur  paskesh marrë vesh 48 orët e fundit se presidenti i sapovotuar qenka fajtor për masakrën me pronat e ushtrisë. Çuditërisht “pusetat” plasën vetëm sot. Asnjë akuzë nga Berisha dhe as nga mediat e tij satelite në dy vjet që Begaj shërbeu si shef shtabi (është njeriu i Ilirit, mos e sulmoni)!

Edhe Nënë Tereza të kandidohej sot nga Edi Rama në Parlament si presidente e Shqipërisë, Sali Berisha do ta kontestonte. Nuk mund të shpëtonte doemos as Bajram Begaj nga kjo sjellje, megjithëse pakkush mund të thotë  sot se PS zgjodhi një president përçarës apo provokues për opozitën. E kundërta është e vërtetë:  Bajram Begaj ka të gjitha kredencialet që të jetë një kryetar shteti pa teserë partie në xhep, në kuptimin real të termit. Këto orë po e akuzojnë për gjithçka, por jo sepse është servil apo militant i fshehur partie. Madje sipas portaleve, kështu e kishin cilësuar edhe patronazhistët e famshëm të PS në prag të zgjedhjeve të fundit.

Sali Berisha do të ishte shumë i kënaqur me një president socialist. Do të dëshëronte në zyrën e kreut të shtetit Taulant Ballën, Erion Veliajn apo Nikon Peleshin. Do ta mbushte gojën e do t’i frynte mushkëritë me piskamën e tij të njohur që thërret për protesta edhe kur ju uron fëmijëve 1 qershorin. Doktorit  i duhej  një president nga rradhët e PS, që të vijonte të konfirmonte tezën se Rama ka kapur shtetin. Tani  që ra dhe Meta, shikoni sesi i kapi të gjitha pushtetet!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!