Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka siguruar refugjatët sirianë se banorët e mirintegruar mund të vazhdojnë të qëndrojnë dhe punojnë në Gjermani, edhe pas rënies së regjimit të Bashar al Assadit.
“Kushto që është i mirintegruar, që studion në Gjermani, që punon në Gjermani, që flet gjermanisht, mund të qëndrojë, edhe pse kushtet në vendlindjen e tyre kanë ndryshuar”, tha Scholz.
Kancelari gjerman i bëri këto komente në fund të samitit të Bashkimit Evropian, që u mbajt dje në Bruksel, ku liderët diskutuan mbi Sirinë, marrëdhëniet diplomatike të mundshme me qeverinë e re në Damask si dhe mbi debatin në vazhdim për kthimin në vendlindjen e tyre të refugjatëve sirianë në Evropë.
Kancelari social-demokrat kritikoi partitë evropiane të krahut të djathtë për nisjen e fushatave të nxituara për riatdhesimin e refugjatëve sirianë pas rënies së Assadit.
Ai theksoi se situata politike në Siri mbetet e pasigurt.
“Diskutimi i vazhdueshëm për kthimin e qytetarëve sirianë, që kërkuan strehim në vendet tona, më duket mjaft e çuditshme… sepse askush nuk mund të jetë i sigurt tani nëse ata mund të kthehen. Por, natyrisht, ka shumë që duan të kthehen nëse lehtësohej situata. Ne atëherë do t’i mbështesim dhe do ta bëjmë këtë të mundur”, tha Scholz.