Kancelari gjerman Olaf Scholz, njoftoi deportimin sa më të shpejtë të kriminelëve në Siri dhe Afganistan, nën hijen e sulmit të javës së kaluar nga afgani Sulaiman Ataee në Mannheim, i cili rezultoi në vdekjen e një oficeri policie dhe plagosjen e pesë të tjerëve.
Scholz bëri thirrje gjithashtu për dëbimin e “atyre që lavdërojnë aktet terroriste”.
“Sulmi në Mannheim u krye nga një islamist ekstremist. Terrorizmi dëshiron të na imponojë botëkuptimin e tij, por shteti do të mbrojë veten”, theksoi kancelari nga foltorja e Bundestagut dhe paralajmëroi ata që duan të imponojnë ligjet e tyre, se do të kenë një “problem të madh” me qeverisjen e ligji në Gjermani.
“Këtu nuk vlen ligji i më të fortit. Këtu shteti është përgjegjës për ligjin” dhe “kushdo që përfiton nga mbrojtja jonë, e humbet atë mbrojtje dhe do të përballet me zero tolerancë”, shtoi ai.
Por “kushdo që lavdëron terrorizmin” duhet gjithashtu të deportohet, shtoi ai, duke iu referuar përdoruesve të mediave sociale që ditët e mëparshme lavdëruan hapur sulmin e 25-vjeçarit afgan.
Duke folur për policin 29-vjeçar Runen Luhr i cili humbi jetën duke u përpjekur të ndalonte sulmuesin në Mannheim, kancelari gjerman tha se ai “sakrifikoi jetën e tij për lirinë dhe sigurinë e vendit dhe e quajti atë një “akt heroik”, ndërsa falënderoi punonjësit e policisë, të cilët mbrojnë çdo ditë qytetarët në Gjermani. “Falënderojmë policinë dhe e mbështesim atë”, tha kancelari.
/abcnews.al