Schmidt pezullon financimin buxhetor për partinë e Dodik

schedule17:01 - 24 Prill, 2025

schedule 17:01 - 24 Prill, 2025

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka marrë vendim për t’i pezulluar pagesat nga buxheti në të gjitha nivelet në Bosnje për Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur, e cila udhëhiqet nga Millorad Dodiku, dhe për partinë politike Sërpska e Bashkuar, e cila është partnere në koalicion me partinë e Dodikut në entitetin Republika Sërpska.

Duke folur në Sarajevë, Schmidt tha të enjten se pezullimi i financimit vlen për buxhetet në të gjitha nivelet, nga ai shtetëror, i entiteteve deri te ai komunal, duke theksuar se “veprimet kundër Marrëveshjes së Dejtonit kanë pasoja dhe se ai do ta rishqyrtojë vendimin e tij pasi ato të ndalen”.

“Të gjitha fondet për këto parti, në të gjitha nivelet e pushtetit, do të pezullohen dhe do të ridrejtohen në një llogari të veçantë në Bankën Qendrore të BeH,” tha Schmidt.

Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje ka kompetenca, të cilat janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë.

Ai gjithashtu e ka ndryshuar Kodin Penal të Bosnjës dhe ka përcaktuar që vendimet e tij janë të detyrueshme.

Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit të RS-së dhe liderin e partisë Sërpska e Bashkuar, Nenad Stevandiç, si dhe me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviç, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, në një hetim që Prokuroria e Bosnjës po e zhvillon që nga fundi i vitit të kaluar.

Në mars u lëshuan fletarrestime qendrore ndaj tyre, pasi ata nuk iu përgjigjën ftesës për t’u marrë në pyetje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!