Scaloni zbulon “formulën” që i solli Argjentinës “Kupën e Botës”

schedule12:51 - 21 Shkurt, 2023

schedule 12:51 - 21 Shkurt, 2023

Tekniku, i cili i dhuroi Argjentinës, Kupën e dytë të botës, Lionel Scaloni ishte i ftuar, ditën e djeshme në qendrën sportive, Coverciano në Itali, për të biseduar me kolegët e tij në futbollin italian, ku si temë kryesore gjatë diskutimit ishte dhe suksesi i teknikut argjentinas në krye të “albicelesteve”.

“Numri 1” i pankinës argjentinase shpjegoi se pas asaj arritjeje të madhe në Katar “fshihet” vetëm një komunikim shumë i mirë i ndërsjellë mes stafit, lojtarëve dhe tifozëve. Në fjalën e tij, tekniku Scaloni ceku dhe pjesëmarrjen e Lionel Messit në Botërorin e vitit 2026, por nuk konfirmoi asgjë.

“Një nga aspektet më të rëndësishëm në rrugëtimin tonë në Botëror ishte komunikimi, komunikimi mes lojtarëve me stafin, por edhe me tifozët. Kishim një lidhje të ngushtë me ta, ishte emocionale dhe kjo na bënte që ta donim fanellën edhe më shumë. Pastaj, sigurisht të kesh në skuadër një lojtar si Messi është avantazh i madh. Si një ish-shok skuadre i tij, ta trajnosh është po aq bukur, shoh se si lojtarët e tjerë e ndjekin dhe e kërkojnë në fushë. Ai është një lider.

Messi në 2026-tën? Nëse do të luajë në Botërorin e ardhshëm apo jo, është një vendim që i takon Messit. Nëse do të jetë mirë fizikisht dhe trupi do t’i përgjigjet, unë e pres”,- tha Scaloni në fjalën e tij. /i.m /abcnews.al