Sarri: Interi në rritje dhe i rrezikshëm, s’i kam problem reagimet e lojtarëve

schedule14:32 - 5 Tetor, 2019

schedule 14:32 - 5 Tetor, 2019

Juventusi është gati për ndeshjen me Interin. Maurizio Sarri po e pret me kënaqësi këtë sfidë, që do të ndiqet nga e gjitha bota. Trajneri i Juventusit vlerëson kundërshtarin dhe homologun Conte në konferencën për shtyp, nuk zbulon gjë nga formacioni dhe kërkon nga ekipi që të konfirmojë përmirësimet e ndeshjes së fundit në Champions përballë Leverkusen.

INTERI – “Janë një skuadër e fortë dhe solide. Do e kemi të vështirë të luajmë kundër tyre, pasi janë shumë të rrezikshëm. Ata janë në rritje dhe e treguan edhe në ndeshjen e fundit. Nuk mund të flasim për favoritë, bëhet fjalë për dy skuadra të forta. Jam i lumtur të shkoj në një stadium të madh për të luajtur një ndeshje që ndiqet nga gjithë bota.”

FORMACIONI – “Unë vendos dhe bëj zgjedhjet e mia. Kur një lojtar që ka luajtur mirë mbetet jashtë, atëherë është e drejtë që të mërzitet. Unë e quaj pozitive diçka të tillë dhe jo negative. Do të vendos formacionin pas stërvitjes së fundit. Nuk duhet të shqetësohem nga reagimet e lojtarëve, nuk e kam problem diçka të tillë.”

CONTE – “Antonio është një trajner i madh, titujt dhe fitoret e tij flasin vetë. Po i tregon edhe tek Interi vlerat e tij. Nesër nuk do të jetë një ndeshje Sarri kundër Contes, por një përballje e bukur midis Interit dhe Juventusit.”

EKIPI – “Kemi bërë disa ndryshime në lojtarë dhe mënyrën e lojës. Duhet të konfirmojmë hapat para që kemi hedhur dhe duhet të jemi të përqendruar. Kemi kundërshtarë të fortë këtë sezon.”

SARRI – “Mua më pëlqejnë skuadrat që kanë një stil loje dhe ecin përpara në atë mënyrë. Aftësia për të bërë sa më pak gabime tregon shumë për cilësitë e një trajneri.” /abcnews.al