Sarkozy si Miterrand: Në politikë askush nuk vdes

schedule15:44 - 2 Mars, 2021

schedule 15:44 - 2 Mars, 2021

Dënimi i ish presidentit Nicolas Sarkozy është konsideruar si një goditje e dyfishtë për politikën franceze në përgjithësi dhe për të djathtën në veçanti. Por politologë francezë theksojnë se Sarkozy është shumë popullor në sondazhe dhe njësoj si Miterrand dikur, do të mund të rikthehet në skenën politike dhe ndoshta dhe të fitojë.

Politologu francez Paskal Perino, drejtori i qendrës së kërkimeve në shkenca politike, është i bindur se ish lideri i së djathtës nuk ka vdekur politikisht, por shanset e tij për një kandidaturë për presidencialet e vitit të ardhshëm, janë zbehur.

Ai e sheh si një dënim shumë të rëndë dhe pse dosja e ndërtuar përgjatë hetimeve nuk ishte bosh. Por për sa i përket akuzës së korrupsionit, gjykatësi i përfshirë në të vërtetë nuk ka përfituar asgjë as financiarisht dhe as profesionalisht.

Në këtë mënyrë për llojin e krimit, ky është një dënim i rëndë. Por në momentin që i pandehuri ishte president i republikës – në kohën e fakteve – prokuroria këmbënguli në faktin se faji ishte dhe më i rëndë, por gjithsesi duhet pritur vendimi i gjykatës së apelit.

Për sa i përket impaktit në politikën franceze, kjo është hera e dytë pas Zhak Shirak, që një president i republikës dënohet.

Dhe këtë herë simboli është dhe më i fortë meqenëse akuza ndaj Sarkozy i përket periudhës kur ai ka qenë kreu i shtetit. Kjo situatë do të dëmtojë besimin tek politika, besim i cili është në rënie të lirë prej kohësh në Francë dhe këtë e tregojnë studime të ndryshme. Dënimi i një politikani i këtij niveli rrezikon të njollosë klasën drejtuese në përgjithësi

Sarkozy linte të kuptohej se nëse e djathta do të ishte në vështirësi, atëherë ai do të rishfaqej në skenë, një opsion që tashmë nuk ekziston më. Dhe nëse vendimin e fundit do e apelojë, atë e pret një gjyq tjetër në të cilin do t’i duhet të mbrohet.

Por pavarësisht kësaj Sarkozy mbetet ende popullor në sondazhe, kjo sepse në një karrierë politike askush nuk vdes në të vërtetë dhe shpesh ka raste për rilindje. Fransua Miterond ka përjetuar shumë skandale në vitet ’50 – ’60, dhe më pas arriti të rindërtojë figurën e tij, mori të majtën në dorë deri në fitoren e 1981-shit. Sarkozy do të mbetet popullor në sondazhe mes militantëve të së djathtës për atë që ka bërë në të kaluarën dhe për mungesën e liderëve të tjerë karizmatikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!