Gentjan Qarri u ekzekutua mbrëmjen e sotme në Vlorë teksa ishte duke ecur në këmbë në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës. E ndërsa është herët për të folur për pista konkrete, tashmë grupi hetimor e ka një, larjen e hesapeve.
Gazetarët e ABC, Elto Nikaj dhe Xhensila Kodra raportojnë se Qarri ka qenë i dënuar në Itali me 15 vite burg për drogë. Tre vite më parë mbaroi dënimin në Itali dhe u kthye në Vlorë ku punonte si hidraulik, por nuk e shijoi shumë lirinë, pasi mbrëmjen e sotme u vra.
Autorët e ndoqën dhe e qëlluan nga makina në lëvizje. Njëri nga plumbat e kapi në gjoks. Pavarësisht se u dërgua në spital, vlonjati ndërroi jetë.
Policia disa minuta pas vrasjes gjeti makinën e djegur të autorëve në zonën e pyllit të Sodës dhe armën që përdorën tip automatik.
Pika të shumta kontrolli janë ngritur në hyrje daljet e Vlorës, por ende nuk ka asnjë të arrestuar./ db/Abcnews.al