Një gol i Thorgan Hazard shkurorëzoi Portugalinë si kampione në fuqi dhe solli kalimin e Belgjikës në çerekfinalet e Euro 2020. Zemërim, trishtim dhe lot te kombëtarja luzitane, që luajti më mirë se “Djajtë e Kuq”, por i mungoi vetëm goli.
Të eliminohesh në këtë mënyrë të dhemb dhe Fernando Santos nuk e fsheh mërzitjen e tij në prononcimin e dhënë pas ndeshjes. Trajneri i Portugalisë zbuloi se në dhomat e zhveshjes së Portugalisë të gjithë po qajnë prej humbjes.
“Ndihemi të zhgënjyer dhe të trishtuar, disa nga lojtarët e mi janë ende duke qarë. Unë nuk mund t’i fajësoj për asgjë, pasi të gjithë dhanë gjithçka sonte.
Belgjika goditi vetëm gjashtë herë portën tonë, ndërsa ne goditëm 29 herë portën e dytë dhe u ndalëm dy herë nga shtylla. Gjithsesi, humbja mbetet humbje.
Sinqerisht që nuk gjej fjalë në këto momente. Të gjithë besonim te kualifikimi, mbërritja në finale dhe fitimi i trofeut“, deklaroi trajneri i Portugalisë. /abcnews.al