Sanofi francez investon 1.3 miliardë euro në Frankfurt

schedule15:30 - 3 Gusht, 2024

schedule 15:30 - 3 Gusht, 2024

Fabrika e re do të zëvendësojë objektet aktuale të prodhimit të insulinës në vendndodhjen Höchst pranë Frankfurtit mbi Main, njoftoi kompania. Sipas planeve, impianti do të zërë një sipërfaqe prej 36.000 metrash katrorë, e barabartë me rreth pesë fusha futbolli. Fabrika e re e prodhimit do të përfundojë në vitin 2029. Disa qindra punëtorë të kualifikuar pritet të punojnë atje.

Në kuadër të kërkimit global për një vend prodhimi, Frankfurti u zgjodh sepse ofron kushtet më të mira politike, tha zëdhënësi i Sanofit Stefan Dietrich. Përveç kësaj, Frankfurti ka mbi njëqind vjet ekspertizë në prodhimin e insulinës dhe personel shumë të kualifikuar.

Sanofi në Höchst mbulon të gjithë zinxhirin e prodhimit të insulinës, nga prodhimi i përbërësit aktiv deri te prodhimi i shiringave dhe shpërndarjen globale. Insulina është e nevojshme për të trajtuar sëmundjen e një numri në rritje të diabetikëve në mbarë botën.

Projekti synon të “sigurojë furnizimin afatgjatë me insulinë jetike për njerëzit që jetojnë me diabet, duke forcuar njëkohësisht elasticitetin e furnizimit evropian,” shpjegoi Sanofi. Drejtuesja e Sanofit në Gjermani, Heidrun Irschik-Hadjieff, foli për një “sinjal të rëndësishëm për industrinë biofarmaceutike”.

Mbështetje specifike për investime

Projekti u mbështet nga qeveria gjermane, qeveria e landit të Hessen-it dhe qyteti i Frankfurtit mbi Main. Aprovimi nga Komisioni Evropian për procedurën e ndihmës shtetërore të BE është ende në pritje. Kryeministri i landit të Hessenit, Boris Rhein dhe Ministri i Ekonomisë Kaweh Mansoori e përshëndetën vendimin e Grupit. Ata thanë se vendimi është “një sinjal i fuqishëm për ne si qendër farmaceutike dhe një moment historik i ri për sovranitetin tonë farmaceutik e fuqinë eksportuese në Gjermani”.

Michael Vassiliadis, President i unionit farmaceutik IG BCE, deklaroi se investimi i Sanofit forcon Gjermaninë si një vend farmaceutik dhe “e çon traditën më shumë se 100-vjeçare të prodhimit të insulinës në Frankfurt Höchst në një nivel të ri”. Duke pasur parasysh “nganjëherë pengesat ende dramatike të furnizimit dhe varësinë nga vendet e tjera për prodhimin e drogës”, vendimi ishte i nevojshëm për të garantuar furnizimin me insulinë.

Fabrika e Frankfurtit është një nga më të mëdhatë e Sanofit, me rreth 6600 punonjës. Në total, rreth 8000 njerëz punojnë për Sanofin në Gjermani, në fabrikat në Frankfurt, Këln dhe Berlin, dhe më shumë se 86000 në mbarë botën.

Prodhues me traditë të gjatë

Sanofi dominoi tregun e insulinës për shumë vite. Licencën e parë për prodhimin e insulinës në Gjermani e mori grupi farmaceutik gjerman Hoechst, në vitin 1923. Në vitin 1999, Höchst u fuzionua me Rhone-Poulenc për të formuar Aventis, e cila nga ana tjetër u ble nga Sanofi-Synthelabo në vitin 2004. Hoechst ishte gjithashtu kompania e parë evropiane që prodhoi insulinë në shkallë industriale. Në vitin 1999, filloi prodhimi i insulinës njerëzore me anë të inxhinierisë gjenetike në fabrikën Frankfurt-Höchst.

Planet e Sanofit u njoftuan në fillim të korrikut, por ende nuk ishin konfirmuar. Kohët e fundit, Sanofi kishte menduar të transferonte prodhimin e insulinës në Francë. Këto plane nuk janë më në tavolinë.

Valë e investimeve farmaceutike

Investimi është një nga disa projekte madhore të kompanive farmaceutike në Gjermani. Në nëntor 2023, kompania farmaceutike amerikane Eli Lilly njoftoi një investim prej 2.3 miliardë eurosh në Gjermani për të zgjeruar prodhimin e medikamenteve kundër diabetit, disa prej të cilëve përdoren edhe për rrëzim peshe. Fabrika e re e prodhimit do të ndërtohet në Alzey (Rheinland-Pfalz).

Kompania daneze Novo Nordisk, prodhuesi kryesor i insulinës në botë, do të zgjerojë fabrikën e saj të prodhimit në Chartres të Francës me një investim prej 2.1 miliardë eurosh. Grupi japonez Daiichi-Sankyo, gjiganti farmaceutik zviceran Roche dhe Merck me qendër në Darmstadt kanë vendosur gjithashtu të investojnë miliarda euro në Gjermani./dw

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!