Sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë dëmtuar vendin me rreth 300 milionë euro. Analistët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo shifër mund të rritet, pasi kanë kaluar mbi tetë muaj nga vendosja e tyre.
Në një intervistë për KOSOVA PRESS, Lulzim Rafuna Kryetari i Odës Ekonomik, vlerëson se nga këto masa, Kosova është duke humbur investitorë të huaj, pasi hezitojnë të investojnë në një vend që është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
“Masat padyshim që e dëmtojnë ekonominë e vendit në dy drejtime, në atë material për arsyeje se deri më sot kemi përafërsisht rreth 300 milionë euro, projekte të cilat janë bllokuar, konkretisht janë 292 milionë projekte, të cilat janë të bllokuara, mirëpo kjo shumë e këtyre projekteve do të shkojë duke u rritur në muajt në vazhdim, për arsyeje se kanë qenë projekte të parapara të implementohen dhe nuk do të mund të implementohen si rezultat i masave ndëshkuese.”, tha ai.
Njohësi i ekonomisë, Florin Aliu vlerëson se ekonomia e vendit ka ngecur për shkak reformave jo të mira nga Qeveria, dhe jo për shkak të masave nga ana e BE-së.
“Zhvillimi nuk varët prej këtyre sanksioneve, varet më shumë prej reformave që merren brenda Qeverisë së Kosovës, reforma që ajo i vendos për ekonominë tonë. Në atë aspekt po shoh ngecje, ndërsa sa i përket sanksioneve, besoj se janë kriteri bazë që e determinon zhvillimin apo një kriter shumë i parëndësishëm në zhvillimin tonë”, u shpreh analisti Florian Aliu.
Këto masa nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës kanë ardhur për shkak të refuzimit të kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.