Sanksionet kundër Rusisë kanë ende të “çara”:Por ja si mbyllen ato

schedule13:51 - 9 Shtator, 2022

schedule 13:51 - 9 Shtator, 2022

Nga Garry Kasparov & Michael McFaul “Washington Post

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera në mbarë botën iu kundërpërgjigjën me të drejtë pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, duke vendosur sanksione të reja ndaj sistemit financiar të Rusisë, eksporteve të naftës dhe gazit, si dhe disa individëve.

Këto sanksione janë më gjithëpërfshirëse se sa çdo përpjekje tjetër e ndërmarrë nga bota e lirë kundër një diktature me përmasat e Rusisë. Sigurisht, ato e kanë dobësuar ndjeshëm ekonominë ruse. Por vetëm më optimistët besonin se sanksionet do ta bindin Putinin të ndryshonte mendje dhe të tërhiqte ushtrinë e tij nga Ukraina.

Por në vend të kësaj, synimi i këtyre sanksioneve duhet të jetë kufizimi i kapacitetit të Rusisë për ta zhvilluar këtë luftë kundër Ukrainës, dhe jo për të detyruar apo bindur Putinin që t’i japë fund pushtimit të tij. Deri më sot ka pasur disa suksese, por përvoja e 6 muajve të fundit tregon se ka ende shumë për të bërë.

Ne kemi disa sugjerime mbi masat që mendojmë se ia vlen të ndërmerren. Kontrollet e synuara të eksportit të teknologjive të ndjeshme, kanë rezultuar veçanërisht efektive duke e kufizuar aftësinë e Rusisë për të prodhuar armë dhe municione të reja me një saktësi të madhe.

Me kalimin e kohës, kjo ndërprerje e eksportit ndaj Rusisë së komponentëve të teknologjisë së sofistikuar, përfshirë para së gjithash mikroçipat që Rusia nuk mund t’i prodhojë dot vetë, do të dobësojë aftësitë ushtarake të Moskës. Tani bota demokratike duhet të vendosë kufizime shtesë ndaj importit nga Rusia për teknologji të tilla si pjesët e avionëve, sistemet sonar, antenat, spektrofotometrat, pajisjet e testimit, sistemet GPS, pompat me vakum dhe pajisjet që përdoren në fushat e nxjerrës së naftës.

Rusia duhet të bëhet tërësisht e paaftë për të importuar ndonjë produkt të teknologjisë së lartë, pasi tek e fundit shumica e teknologjisë ka një përdorim të dyfishtë. Çdo teknologji që e ndihmon ekonominë ruse, ndihmon njëherazi edhe Vladimir Putinin të vrasë më shumë ukrainas.

Në planin afatgjatë, eksodi i dhjetëra mijëra punonjësve rusë të angazhuar deri dje në sektorin e teknologjisë së lartë, i shkaktuar nga lufta e Putinit do të zvogëlojë akoma më tej bazën industriale ushtarake të Rusisë. Duke vazhduar në këtë kurs, Perëndimi duhet të bëjë më shumë për të lehtësuar një largim masiv të rusëve më të arsimuar.

Vendet demokratike duhet ta bëjnë më të lehtë pranimin e emigrantëve rusë me ekspertizë teknologjike nëpërmjet një sërë stimujsh ekonomikë. Po ashtu, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë më të lehtë migrimin e kundërshtarëve politikë dhe mediatikë të regjimit të Putinit, për të ndihmuar në distancimin e mëtejshme të Putinit nga populli rus.

Ndërkohë sanksionet perëndimore kanë ndërprerë edhe investimet e huaja direkte, duke shkaktuar mungesë ushqimesh, ilaçesh dhe materialesh. Afro 1 mijë kompani të huaja janë larguar tashmë nga Rusia; dhe shumica nuk do të kthehen më kurrë atje. Kjo nuk ndikon vetëm tek shumëllojshmëria e mallrave dhe shërbimeve të disponueshme.

Ajo do të zvogëlojë gjithashtu edhe transferimin e teknologjisë dhe inovacionin në një gamë të gjerë industrish në të gjithë Rusinë, sidomos në sektorin energjitik. Gjithsesi duhet bërë akoma më shumë. Qeveritë demokratike duhet të ushtrojnë më shumë presion mbi kompanitë e tyre që nuk janë larguar ende nga Rusia. Kompanitë e huaja që e ndihmojnë makinerinë luftarake të Putinit, edhe përmes aktit të thjeshtë të pagimit të taksave, duhet të përballen gjithashtu me sanksione.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar duhet të detyrojë vende të tilla si Turqia, Gjeorgjia dhe Kazakistani – që aktualisht po ndihmojnë në anashkalimin e sanksioneve ekzistuese – të ndalojnë operacionet e vazhdueshme të kontrabandës. Sanksionet ndaj individëve rusë, kanë prodhuar rezultate reale dhe të qëndrueshme.

Manovrat e oligarkët rusë për të anashkaluar apo dalë nga lista e sanksioneve, tregojnë se  sanksionet po funksionojnë. Megjithatë sanksione të tilla nuk janë vendosur ende ndaj mijëra zyrtarëve rusë, liderëve të partive, krerëve të qeverive rajonale, anëtarëve të bordit të ndërmarrjeve të kontrolluara nga shteti rus, propagandistëve dhe personave të njohur publikë që e mbështesin luftën e Putinit.

Ka ardhur koha për t’i shtuar edhe ata në këtë listë. Individët nga vendet e treta që ndihmojnë Putinin – si ish-oligarku Bidzina Ivanishvili, sundimtari de fakto i Gjeorgjisë – duhet ta dinë se edhe ata do të përballen me sanksione në rast se nuk do të ndalojnë së mbështeturi pushtimin barbar të Putinit.

Çdo individ që e mbështet luftën e Rusisë në Ukrainë, edhe nëse në mënyrë indirekte apo pasive, duhet të paguajë një kosto. Deri më sot, sanksionet kanë qenë të paefektshme në shënjestrimin e eksporteve të karburanteve fosile të Rusisë, burimi kryesor i të ardhurave për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Tragjikisht, por në mënyrë të parashikueshme, lufta e Putinit ka rritur në mënyrë dramatike çmimet globale të energjisë, duke prodhuar fitime të papritura afatshkurtra për Kremlinin.

Por udhëheqësit perëndimorë kanë lënë me vetëdije boshllëqe në regjimin e sanksioneve, në mënyrë që qeveritë dhe kompanitë të mund të vazhdojnë të blejnë energji nga Rusia.

Për shembull, ka mbetur ende e paprekur nga sanksionet “Gazprombank”, një institucion financiar kyç për korporatën ruse të gazit natyror të kontrolluar nga shteti. Në këtë rast lajmi i mirë këtu është se janë planifikuar të tjera sanksione.

Deri në fund të këtij viti, Bashkimi Evropian planifikon të bëjë shkurtime drastike të importeve të karburanteve fosile nga Rusia. Ndërkohë vendet e G7-ës synojnë të zbatojnë një ide inovative për ta kufizuar çmimin e eksporteve të naftës ruse në mbarë botën. Perspektiva e këtij kufiri të çmimit, po e detyron tashmë Rusinë që të shesë naftë me çmime të ulura.

Udhëheqësit e qeverive demokratike në mbarë botën, duhet të sinjalizojnë në mënyrë të besueshme gatishmërinë e tyre për të ushtruar presion ndaj bankave, kompanive të sigurimit dhe atyre të transportit, për ta zbatuar këtë kufi maksimal mbi çmimet e karburanteve. Konsumatorët që jetojnë në botën e lirë, duhet ta ndalin financimin e luftës së Putinit përmes blerjes së naftës dhe gazit rus. Së fundmi, demokracitë duhet të sinjalizojnë synimin e tyre për të ruajtur sanksionet për aq kohë sa duhet për të arritur tre rezultate.

Së pari, Ukraina duhet ta rimarrë të gjithë territorin e saj, duke përfshirë Krimenë. Së dyti, Rusia duhet t’i paguajë plotësisht Ukrainës dëmshpërblimet e luftës; dhe kriminelët rusë të luftës duhet të nxirren përpara drejtësisë. Dhe së treti, udhëheqësit e botës së lirë duhet të shmangin tundimin për të ofruar një lehtësim të pjesshëm të sanksioneve për ndryshimet e mundshme në luftën e Rusisë, dhe nuk duhet të bëjnë asgjë në lidhje me lehtësimin e sanksioneve, pa miratimin paraprak të qeverisë së Ukrainës.

Zgjerimi dhe mbajtja në fuqi e sanksioneve ndaj Rusisë do të jetë e kushtueshme për Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Evropën. Por ky është çmimi që duhet të paguajmë për dekadat e dështimit për të vepruar kundër mënyrave autoritare dhe perandorake të Vladimir Putinit. Fatmirësisht, kombet e botës së lirë e paguajnë këtë kosto vetëm me para. Ndërsa ukrainasit po e paguajnë me gjakun e tyre.

Shënim:Garri Kasparov, kryetar i Nimës për Ripërtëritjen e Demokracisë dhe i Fondacionit për të Drejtat e Njeriut. Michael McFaul, drejtor i Institutit “Freeman Spogli” për Studime Ndërkombëtare.