Sanksionet e Trump, kompania zvicerane ndërpret punën në gazsjellësin ‘Nord Stream 2’

schedule07:52 - 22 Dhjetor, 2019

schedule 07:52 - 22 Dhjetor, 2019

Një kompani që operon anijet që vendosin seksione të gazsjellësit të ri gjermano-rus, tha se pezullohen punimet pasi Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi legjislacionin që kërcënon me sanksione.

Presidenti Trump nënshkroi të premten projektligjin e miratuar në fillim të kësaj jave nga Senati që parashikon sanksione ndaj individëve dhe kompanive të përfshira në shtrimin e tubacioneve të gazsjellësit Nord Stream 2 nën Detin Baltik nga Rusia në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë një kundërshtar i hapur i gazsjellësit, i cili do të transportojë gaz natyror në rreth 1.200 kilometra. Së bashku me vendet e Evropës Lindore që gjithashtu kundërshtojnë projektin, qeveria amerikane argumenton se gazsjellësi do të rrisë varësinë e Evropës tek energjia e Rusisë.

Të shtunën, kompania Allseas me qendër në Zvicër, e cila operon anije që shtrojnë seksione të gazsjellësit nënujor, tha në një deklaratë të shkurtër se në pritje të zbatimit të Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), Allseas ka pezulluar aktivitetet e saj për gaz-sjellësin Nord Stream 2.

Kompania “do të presë udhëzime që përmbajnë sqarimet e nevojshme rregullatore, teknike dhe mjedisore nga autoriteti përkatës i SHBA”, shkruhet në deklaratë.

Ndërtimi i gazsjellësit është tashmë në hapat e fundit, dhe nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të kenë sanksionet amerikane. Zëdhënësi i gazsjellësit Nord Stream 2, Jens Mueller tha në një deklaratë me email se “përfundimi i projektit është thelbësor për sigurinë e furnizimit evropian”.

“Ne së bashku me kompanitë që mbështesin projektin do të punojmë për përfundimin sa më shpejt të gazsjellësit,” shtoi ai.

Qeveria gjermane shrehu keqardhje për miratimin e legjislacionit të SHBA. “Qeveria gjermane hedh poshtë sanksione të tilla jashtë-territoriale,” tha zëdhënësja Ulrike Demmer në një deklaratë. “Ato prekin kompanitë gjermane dhe evropiane dhe përbëjnë një ndërhyrje në punët tona të brendshme.”/VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!