Sanksionet e Përëndimit kanë nisur ta dëmtojnë seriozisht ekonominë ruse

schedule12:24 - 19 Shtator, 2022

schedule 12:24 - 19 Shtator, 2022

Nga Benjamin Bidder & Markus Becker “Der Spiegel

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Presidenti rus Vladimir Putin ka një term të ri të preferuar, të cilin ai e ka huazuar nga kujtesa kolektive e rusëve mbi Luftën e Dytë Botërore. Ai i quan sanksionet e vendosura nga Perëndimi një “një sulm ekonomik i rrufeshëm”. Kjo është mënyra e tij për të menaxhuar pritshmëritë.

Në rast se rusët besojnë se Kremlini po i mbron nga një përpjekje djallëzore e Perëndimit për asgjësimin ekonomik të vendit, ata do të ankohen më pak për rënien reale, edhe pse jo totale të ekonomisë ruse. E megjithatë, problemet janë ende të konsiderueshme.

Sipas Kremlinit, tashmë janë gati të mbyllen mbi 230.000 vende pune në industri. Të ardhurat nga taksat kanë rënë: sufiçiti buxhetor i Rusisë, ende mbresëlënës në fillim të vitit, ra në gati zero gjatë verës. A do t’i gjunjëzojnë sanksionet në fund sundimtarët e Moskës, pavarësisht fitimeve të mëdha të Rusisë nga shitja e naftës dhe gazit?

Kohët e fundit, vlerësimet mbi ekonominë ruse kanë qenë shumë të ndryshme. Qeveria ruse parashikon që ekonomia e saj të tkurret me vetëm 4.2 për qind këtë vit, krahasuar me parashikimet prej -7.8 për qind në pranverë. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e ka rishikuar parashikimin e tij për Rusinë, nga -8 për qind në prill në -6 për qind.

Të dhënat e “Macromonitor” i Shkollës së Lartë Ekonomike të Moskës, sugjerojnë se që nga pranvera ekonomia ruse është stabilizuar. Nga ana tjetër qeveria gjermane, rikonfirmoi në mesin e muajit gusht se pret një rënie më të rëndë. Ajo parashikon një rënie prej 6-15 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të Rusisë.

Sa për krahasim, ekonomia ruse nuk ra asnjëherë me 15 për qind brenda një 1 viti në fillim të viteve 1990, kur u shemb ekonomia e planifikuar sovjetike. Por cili parashikim është më i mundshëm të vërtetohet? Ajo që ne dimë deri tani është kjo: Sanksionet e vendosura nga Perëndimi në pranverë, kanë funksionuar në dy mënyra.

Së pari, ato janë të drejtpërdrejta. Pra disa mallra mund të mos tregtohen më, dhe nuk mund të kryhen më transaksione për banka, kompani dhe individë të caktuar. Krahas kësaj, ato kanë edhe efektin psikologjik. Në fillim sanksionet shkaktuan panik dhe kaos në Rusi dhe në mesin e partnerëve tregtarë të Rusisë, pasi askush nuk mund të vlerësonte me saktësi se cilat do të ishin pasojat.

Sipas vlerësimeve të Bashkimit Evropian, rreth 28 për qind e eksporteve evropiane drejt Rusisë janë në shënjestër të drejtpërdrejtë të sanksioneve. Por importet e Rusisë nga BE-ja  kanë rënë me më shumë se 50 për qind. Por me kalimin e kohës ky efekt e humb forcën e tij.

Tani shumë kompani e shohin më qartë se çfarë lejohen të bëjnë ende dhe çfarë jo. Zemërimi moral fillestar në Perëndim ndaj kompanive që vazhdojnë të bëjnë ende biznes në Rusi është zbehur. Dhe paniku i pranverës i ka lënë vendin një rutine të re. Në fakt, eksportet e Gjermanisë drejt Rusisë janë rritur disi gjatë javëve të fundit.

Por a do të funksionojnë sanksionet në një periudhë më afatgjatë? Disa nga masat ndëshkuese të Perëndimit synojnë shkëputjen e Rusisë nga teknologjitë për një periudhë afatgjatë. Prodhimi rus i makinave ka vuajtur shumë pasojat e sanksioneve dhe shumë fabrika perëndimore atje e kanë ndalur prodhimin.

Linjat e montimit në kompaninë e prodhimit të makinave Lada, marka më e njohur ruse, mbetën pa punë për shumë javë. Kohët e fundit Lada ka rifilluar prodhimin. Por kjo nuk

do të thotë domosdoshmërisht se sanksionet po humbasin efektivitetin e tyre. Ndonjëherë blerësit e automjeteve të reja duhet të kënaqen me një nivel dukshëm më të ulët të teknologjisë.

Për shembull, makinat po dalin nga linja e prodhimit pa sistemin ABS. Kompania nuk ka qenë në gjendje të gjejë furnizues alternativë për rreth 1500 nga 4500 komponentë. Nga ana tjetër janë rritur çmimet për makinat e reja. Në pranverë, çmimi për modelin Vesta të Lada-s, ishte ende rreth 1 milionë  rubla, por tani mund të kushtojë deri në 3 milion rubla (50.000 euro).

“Rusia po bëhet më e varfër dhe më e prapambetur”- shprehet Janis Kluge, ekspert mbi ekonominë ruse në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) në Berlin. Në përgjithësi, sipas një vlerësimi nga Banka Qendrore e Finlandës, importet e teknologjisë kanë rënë ndjeshëm. Ato ranë  me 41 për qind sa i përket makinerive, 61 për qind e pajisjeve elektronike dhe 30 për qind pajisjeve optike dhe mjekësore. Deri më tani, prodhuesit rusë nuk kanë arritur që të plotësojnë boshllëqet.

Edhe një analizë e Ministrisë ruse të  Ekonomisë në Moskë, e pranon se prodhimi vendas është bërë shumë i vështirë për shkak të kostove të larta, dhe të një “mungesë akute të punëtorëve të kualifikuar”. Por në tërësi, aktualisht situata duket të jetë më pak dramatike sesa pritej.

Ekspertët si ekonomisti moskovit Nikolai Kulbaka apo profesori i ekonomisë Andrei Yakovlev, që sot ndodhej në SHBA, besuan në fillim se sanksionet do të fillonin të jepnin efektet e tyre në vjeshtë, kur të mbaronin stoqet e elementëve më të rëndësishëm të lëndës së parë.

Tani Kulbaka e pranon se ai mund të ketë qenë “gabuar deri në një fare mase”, duke e nënvlerësuar “karakterin e tregut të lirë” të ekonomisë ruse dhe përshtatshmërinë e saj. Sigurisht shumë zinxhirë furnizimi janë prishur. Por menaxherët rusë kanë qenë në gjendje të gjejnë zëvendësues në tregun botëror.

Por James O’Brien, koordinatori i sanksioneve në Departamentin amerikan të Shtetit, thotë se qëllimi i vërtetë i sanksioneve nuk ishte shkatërrimi i ekonomisë ruse apo ndryshimi i regjimit. “Ne duam që t’i kufizojmë burimet, në mënyrë që Rusia të mos kryejë më në të ardhmen luftëra perandorake. Dhe në këtë aspekt, mendoj se kemi sukses”- thotë ai.

Aktualisht Rusia po zhvillon një luftë të një modeli të vjetër të parë në vitet 1970. “Ajo nuk ka krijuar epërsi ajrore ndaj Ukrainës. Nuk ka dronë efektivë, dhe as Inteligjencë Artificiale dhe pajisje për shënjestrimin e saktë të objektivave”- shton O’Brien.

Si NATO ashtu edhe qeveria britanike, po raportojnë se Rusia po i kthehet gjithnjë e më shumë dronëve luftarakë iranianë. Ndërkohë, a po gjen Rusia burime alternative? Shpresat e ekonomisë ruse për të kaluar tek furnizuesit alternativë nga Azia në sektorët civilë nuk janë përmbushur.

Në dallim nga e kaluara, Tajvani, Japonia dhe Koreja e Jugut, i kanë mbështetur këtë herë të gjitha sanksionet kundër Rusisë. Edhe Kina po eksporton më pak mallra në Rusi sesa para luftës, ashtu si India, Brazili dhe Vietnami. Kjo mund të shihet edhe nga të dhënat e Bankës Qëndrore të Finlandës. Në Moskë, statistikat zyrtare të tregtisë janë aktualisht informacione të klasifikuara.

Çfarë pritet të ndodhë më tej? Nga pikëpamja ekonomike, midis Perëndimit dhe Rusisë është duke u zhvilluar një betejë rrënuese. Synimi për ta shkëputur Moskën nga importet e teknologjisë është arritur në përgjithësi.

Nga ana tjetër të ardhurat e qeverisë ruse, vazhdojnë të jenë të larta falë çmimeve të larta të energjisë. Kufiri i çmimit të naftës, për të cilin është rënë dakord nga G-7, synon që ta ndryshojë situatën në këtë aspekt. Nëse G-7 arrin që ta çojë çmimin e naftës ruse në 60 dollarë, kjo lëvizje do të reduktonte me 33 për qind të ardhurat e Rusisë, besojnë analistët në “Capital Economics”.

Dhe kjo mund ta zgjerojë defiçitin e qeverisë me 2 për qind të PBB-së. Por nuk do të çonte domosdoshmërisht në një kolaps të ekonomisë. Sa më shumë presion të ushtrohet mbi Kremlinin, aq më të mëdha janë gjasat e një skenari në të cilin Putin nuk mund të kompensojë më asgjë dhe as të kontrollojë zhvillimet.

Në shtabin qendror të NATO-s, shpresohet që të paktën të dëmtohet ndjeshëm aftësia e Rusisë për të zhvilluar luftëra agresioni në të ardhmen. Një zyrtar i lartë i NATO-s thotë në kushte anonimiteti se sanksionet kanë sjellë një ndikim të konsiderueshëm. “Sanksionet kanë nisur të “kafshojnë”, dhe unë mendoj se është gjithnjë e më e qartë se në një periudhë afatgjatë do të ketë një ortek mbi aftësinë e Rusisë për të rindërtuar ushtrinë e saj pas përfundimit të luftës aktuale”- thekson ai.

Marrë me shkurtime