Administrata amerikane vazhdon të ndëshkojë elementët rusë të dyshuar për ndërhyrje në zgjedhje.
Viktimë e sanksioneve ka rënë një person i afërt me presidentin rus, i etiketuar si “Kuzhinieri i Putin” dhe i akuzuar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara për përpjekje për të ndikuar në procese zgjedhore.
Shtetet e Bashkuara përforcuan të hënën sanksionet ndaj një aleati të presidentit rus Vladimir Putin, i akuzuar më herët se është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe ato të mesmandatit vitin e kaluar.
Evgeni Prigozhin citohej në raportin e hetuesit të posaçëm Robert Myler mbi ndërhyrjen ruse në procesin elektoral dhe akuzohej se ishte “truri” i Agjencisë së Kërkimeve të Internetit, një organizatë që u përpoq të ndikonte në zgjedhjen e presidentit Donald Trump.
Në njoftimin e tij ditën e hënë, Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi se po vendoste kufizime të reja mbi asetet e Prigozhin, përfshirë këtu një jaht dhe avione private.
Departamenti bëri gjithashtu me dije se, nuk ka patur tregues se Prigozhin kishte pasur sukses në përpjekjet e tij për të ndërhyrë në infrastrukturën zgjedhore, për të parandaluar votimin apo për të patur impakt në rezultatet e votimit.
Prigozhin etiketohet shpesh herë nga mediat ruse si “kuzhinieri i Putin”, për shkak të një biznesi kateringu që organizon banketet për kreun e Kremlinit dhe figura të tjera politike.
Ai u akuzua nga prokurorët e zyrës së Robert Myler se kontrollonte edhe një kompani konsultimesh, që mbikëqyrte aktivitetet e propagandës në ndihmë të Trump.
Avokatët e Prigozhin kanë mohuar që agjencitë e tij të kenë kryer shkelje dhe po përpiqen të heqin masat ndëshkimore, që kanë prekur edhe 6 bashkëpunëtorë të tij./ABC News Albania 24/7