Samiti i Vietnamit mes Donald Trump dhe Kim Jong Un duket se ka nisur më këmbë të mbarë. Në reagimin e tij në fund të ditës së parë të punimeve, presidenti Donald Trump tha se ka patur një takim “të shkëlqyer” me liderin aziatik, të cilin është shprehur i gatshëm ta ndihmojë për të arritur zhvillim ekonomik të Koresë së Veriut.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka patur një dialog shumë pozitiv me liderin koreano-verior Kim Jong Un të mërkurën në Vietnam.
“Një takim dhe një darkë e shkëlqyer me Kim Jong Un në Hanoi”, ka komentuar Trump në profilin e tij në Twitter, në përfundim të ditës së parë të samitit të dytë mes tyre.
Dy liderët shtrënguan duart përpara se të zhvillonin bisedimet dhe darkën në hotelin me 5 yje të kryeqytetit vietnamez, “Metropol”. Ndërkohë, sipas Shtëpisë së Bardhë, dy liderët do të nënshkruajnë edhe një marrëveshje në përfundim të samitit mes tyre. Ditën e enjte ata do të mbajnë një takim 45 minuta kokë më kokë që do të ndiqet nga një takim tjetër ku do të jenë të pranishëm edhe bashkëpunëtorët e ngushtë.
Në fokus të samitit është çarmatimi bërthamor i Penianit, një proces që nëse realizohet, sipas presidentit Trump, do t’i sjellë shumë të mira Koresë së Veriut. Për presidentin amerikan, vendi aziatik ka shanse të arrijë një zhvillim ekonomik shumë të shpejtë dhe të zhvillohet njësoj sikurse Vietnami.
Ai u shpreh i paduruar për të ndihmuar Kim, të cilin e cilësoi një lider të madh, që të arrijë këto zhvillime “të hatashme”, siç i quajti ai. Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Hanoi Trump ka zhvilluar edhe takime me autoritetet vendase, me të cilat ka nënshkruar një kontratë prej 20 miliardë dollarësh për shitjen e avionëve dhe teknologjisë amerikane./abcnews.al