Samiti i Hanoit, të humburit dhe fituesit

schedule14:12 - 2 Mars, 2019

schedule 14:12 - 2 Mars, 2019

Samiti në Vietnam mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un ka përfunduar pa asnjë marrëveshje. Kjo sepse sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, Peniani priste heqjen e të gjitha sanksioneve. Një lëvizje për të cilën Uashingtoni nuk ishte dakord.

Nuk është arritur asnjë marrëveshje në samitin e Hanoit në Vietnam mes presidentit Donald Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong Un. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, e cila në një deklaratë për shtyp shton se mbledhjet për sa i përket çarmatimit bërthamor do të vazhdojnë në të ardhmen. Në deklaratën e tij për gazetarët, Trump theksoi se kishte refuzuar kërkesën e Kim për të hequr sanksionet. Dita e dytë e samitit kishte nisur me një takim kokë më kokë mes dy liderëve, i cili zgjati 45 minuta.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Senders e përshkroi takimin mes dy liderëve si shumë të mirë dhe konstruktiv. Trump dhe Kim diskutuan për mënyrat e ndryshme të avancimit të çarmatimit bërthamor dhe koncepteve bazë të ekonomisë.

Arsyeja për të cilën Donald Trump dhe Kim Jong Un nuk arritën një marrëveshje në samitin e tyre në Hanoi është se koreanoveriorët kërkonin heqjen e të gjitha sanksioneve në territorin e tyre, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta bënin një gjë të tillë, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë. Deklarata për media e Trump u bë dy orë më parë se ç’ishte parashikuar pasi takimi u mbyll më shpejt dhe pa një marrëveshje mes palëve. Trump shtoi se nuk mund të hiqeshin të gjitha sanksionet për sektorin që Peniani dëshironte. Ai tha se nuk kishte lëshuar pe për asgjë, por se gjithsesi mbetej një mik i mirë i Kim dhe i Koresë së Veriut.

“Kanë një potencial shumë të madh, është e pabesueshme, por për sa i përket sanksioneve bëhej fjalë për një sektor që ne nuk e dëshironim”, vazhdoi Trump. Kim Jong Un dëshironte heqjen e sanksioneve për të çmontuar kompleksin bërthamor strategjik në Jongbion. Por presidenti amerikan konfirmoi se Kim Jong Un i kishte premtuar se nuk do të bënte më asnjë test raketor që kishte të bënte me bërthamorin.

Por kreu i Shtëpisë së Bardhë pranoi se kishin pasur ditë produktive për sa i përket bisedimeve në Hanoi dhe marrëdhëniet me Kim Jong Un ishin të forta, por këtë herë ishte vendosur që të mos firmosej asgjë. Por ai shtoi se këndvështrimet e ndryshme ishin reduktuar ndjeshëm. Edhe pse Kim ka një këndvështrim që nuk përputhet me atë amerikan. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u shpreh se Trump dhe Kim ishin të bindur se ka pasur progres, por asnjëri nga ata nuk arriti të hidhte hapin e radhës.

Pavarësisht mungesës së marrëveshjes, presidenti amerikan këmbëngul se atmosfera ishte miqësore. Para samitit, lideri koreanoverior u shpreh i sigurt se do të kishte rezultatet pasi u impenjua se do të arrinte rezultatet që priteshin nga komuniteti ndërkombëtar. Por Kim Jong Un nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve rreth të drejtave të njeriut në vendin e tij për t’u shpëtuar më pas nga Trump, i cili i tha gazetarëve se po diskutohej për çdo gjë.

Sipas analistëve, samiti i Hanoit mes Trump dhe Kim dështoi për shkak të prioriteteve shumë të ndryshme të të dyja palëve. Arsyet e dështimit u bënë shumë të qarta, nga njëra anë Kim këmbëngulte që sanksionet ndërkombëtare të hiqeshin të gjitha. Por nga ana tjetër në shkëmbim ai nuk ishte dhe aq i gatshëm për të hequr dorë plotësisht nga program i tij bërthamor. Por pavarësisht kësaj, lideri koreanoverior pretendonte që sanksionet të hiqeshin menjëherë.

Në këtë pikë, në vend të një suksesi ndërkombëtar, për të cilin presidenti amerikan Trump kishte nevojë, në një moment që ish-avokati i tij Cohen ka bërë deklarata të forta kundër tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë gjendet përballë akuzave dhe kritikave të ashpra për atë që gjithnjë e më shumë po shfaqet si një diplomaci e keqmenaxhuar.

Kritika që i shtohen shqetësimeve për sjelljen e tij jo shumë korrekte: për shembull, kanë qenë të shumtë ata që e cilësuan si alarmante faktin që Trump foli me Kim vetëm për vetëm, në prani vetëm të përkthyesve dhe pa asnjë shënim zyrtar për atë që u tha. Një vendim i rrezikshëm kur bëhet fjalë për negociata shumë delkate sipas analistëve. Situatë që mund t’i mundësojë palës tjetër të drejtën për të pretenduar se ka marrë premtime të ndryshme.

Një rregull i qartë i diplomacisë është dhe ai sipas të cilit nuk duhet të ketë takim mes liderëve nëse nuk është arritur më parë një marrëveshje mes palëve në negociata. Kjo pasi liderët kanë të drejtë vetëm të përcaktojnë detajet e fundit. Trump e ka harruar këtë rregull. Kim ka kaluar nga “Njeriu raketë” dhe ai që varfëronte popullin e tij, në një lider të madh. Dy takimet me presidentin amerikan i kanë dhënë pikë atij në skenën ndërkombëtare. Koreja e Veriut mbetet një fuqi bërthamore, dhe rruga drejt çarmatimit bërthamor mbetet ende larg duke mos përjashtuar rikthimin e tensioneve të forta. Edhe pse Trump duket i kënaqur me premtimin e Kim se nuk do të kryejë më testet raketore apo bërthamore.

Nga ana e tij Kim Jong Un është kthyer në shtëpi si një fitues absolut. Para njerëzve të tij, ai mund të krenohet se nuk ka lëshuar pe para kërkesave të palës amerikane. Ndërkohë as babai i tij dhe as gjyshi nuk ishin pritur dy herë nga një president amerikan dhe as nuk ishin trajtuar në mënyrë të barabartë. Legjitimiteti i Kim është ngritur shumë lart tashmë dhe kjo për faj të Trump. Ky i fundit u fokusua që të dukej në sytë e botës si miku i ish “Njeriut raketë”, se sa i gatshëm për të firmosur një marrëveshje diplomatike.

Tashmë do të jetë interesante të kuptohet se çfarë do të ndodhë muajt e ardhshëm. Nga ajo që dihet, Uashingtoni nuk ka propozuar alternativë reale ndaj qëndrimit legjitim të Penianit përballë çarmatimit total dhe të menjëhershëm. Tashmë për të zhbllokuar situatën, mund të ketë ardhur momenti për të përfshirë në negociata dhe Pekinin e Seulin.

Një skenar i suksesshëm do të shihte Kim Jong Un që pranon një çarmatim bërthamor total në shkëmbim të anulimit të të gjitha sanksioneve, ndërsa Xi Jinping e Mun Jae-in mund të garantojnë nga ana e tyre mbështetje ushtarake dhe ekonomike për Penianin, në rast se Uashingtoni nuk do të mbante fjalën. Në këtë mënyrë të gjithë do të fitonin diçka dhe nuk do të humbisnin asgjë. Por diplomacia ka kohën e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!