Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Samiti i Grave Afgane në Tiranë, Hasani: Shqipëria, pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në Afganistan

schedule10:10 - 11 Shtator, 2024

schedule 10:10 - 11 Shtator, 2024

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani mori pjesë në punimet e Samitit të grave afgane, takimi më i madh i tre viteve të fundit të grave dhe vajzave aktiviste të të drejtave të njeriut nga Afganistani, mbajtur në Tiranë nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gjatë fjalës së tij, ministri tha se ndonëse komuniteti ndërkombëtar ka ngritur zërin kundër qëndrimit të talebanëve ndaj respektimit të të drejtave themelore të njeriut, ka ende shumë punë për të bërë me qëllim lehtësimin dhe përmirësimin e situatës së e grave dhe vajzave afgane.

“Është e nevojshme që komuniteti ndërkombëtar të zgjerojë mbështetjen e tij dhe të amplifikojë përpjekjet në luftën për mbrojtjen dhe respektimin e lirive themelore. Ne duhet t’u ofrojmë atyre burimet, ekspertizën dhe solidaritetin që u nevojiten për të rindërtuar jetën e tyre dhe për të krijuar një shoqëri ku barazia gjinore nuk është thjesht një ëndërr e largët, por një realitet i prekshëm. Të gjithë ne duhet të intensifikojmë thirrjet për të siguruar që zërat e organizatave të shoqërisë civile të grave dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Afganistan të dëgjohen dhe të merren parasysh në organet përkatëse ndërkombëtare dhe më tej. Përpjekjet tona për të adresuar aspektet humanitare, të drejtat e njeriut dhe situatën socio-ekonomike në Afganistan rrezikojnë të dështojnë nëse nuk e adresojmë siç duhet dhe në kohë gjendjen katastrofike të grave dhe vajzave në këtë vend.”, u shpreh Hasani.



Më tej, ai përmendi se edhe Shqipëria ka qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe stabilitet në Afganistan, në kuadër të misionit ISAF, dhe më pas, përmes Misionit “Resolute Support”, të udhëhequr nga NATO.

“Strehimi i Afganëve në arrati nga tmerri i rikthimit të talebanëve në pushtet nuk përbën vetëm një betim të thellë nderi, të lidhur me traditën unike të mikpritjes së Shqipërisë, por ai dëshmon qartë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të siguruar çdo afgan që hyn në territorin tonë, veçanërisht gratë dhe vajzat, me të gjitha mjetet bazë të nevojshme për të gëzuar dinjitet njerëzor dhe siguri të plotë në vendin tonë. Ne kemi një fjalë të urtë që thotë: ‘Shtëpia e shqiptarit e mikut dhe e shtegtarit’. Edhe pse një vend i vogël e me mundësi të kufizuara ne krenohemi që u bëmë pjesë e bashkësisë së vendeve demokratike që morën përsipër barrën fisnike jo thjesht të strehimit, por edhe të rikthimit të dinjitetit e humanizmit për të gjithë afganët që u shtrënguan të braktisin atdheun e tyre dhe në veçanti të grave e vajzave afgane. Ne nuk hapëm dyert e shtëpive tona, ne hapëm zemrat tona për një popull fisnik e të shumëvuajtur. “, shtoi Hasani.

Sipas tij, garantimi i të drejtave të grave e vajzave mbetet prioritet i qeverisë shqiptare.

“Për qeverinë shqiptare, garantimi i të drejtave të grave e vajzave dhe avancimi i agjendës “Gruaja, Paqja dhe Siguria” mbetet një prej përparësive kryesore, jo vetëm në fjalë dhe politikë por edhe në veprime dhe arritje konkrete. Duke siguruar pjesëmarrjen e tyre kuptimplotë në të gjitha nivelet kemi parë përfitimet reale të një shoqërie që di të shfrytëzojë energjinë dhe krijimtarinë e gjithsecilit për të kontribuar në zhvillim dhe për të përparuar ndjeshëm në planin afatgjatë.”, tha mes të tjerash ministri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!