Samiti i G20-s, Princi saudit lihet mënjanë në foton e familjes

schedule22:31 - 30 Nëntor, 2018

schedule 22:31 - 30 Nëntor, 2018

Në samitin e G20-s, Princi saudit është lënë mënjanë nga liderët botërorë, në shenjë proteste për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Por lidhur me këtë çështje Mohamed bin Salman ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me presidentin Macron, që ka tërhequr vëmendjen e mediave.

Princi saudit është lënë mënjanë gjatë realizimit të fotos zyrtare të liderëve botërorë, të mbledhur në Buenos Aires për samitin e G20-s. Mohamed bin Salman, lideri de fakto i Arabisë Saudite, u la në një cep dhe pas shkrepjes së aparatit u largua pa shtrënguar duart me asnjë nga liderët e pranishëm. Prania e princit në samitin ndërkombëtar është kontestuar për shkak të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në Tetor, në konsullatën saudite në Stamboll.

Momente përpara fotos, presidenti francez Emanuel Macron i tha princit Mohamed se për zbardhjen e çështjes së Khashoggit në hetime duhen lejuar të marrin pjesë ekspertë ndërkombëtarë. Lajmin e konfirmoi për “Reuters” një burim nga pallati Elize, ndërsa një gazetë saudite publikoi një material audio të bisedës.

“Mos u shqetëso”, i thotë princi presidentit francez. Nga ana e tij, Macron vijon: “Jam i shqetësuar, ti nuk më dëgjon kurrë”. “Do të dëgjoj, të jesh i sigurt”, shton përfaqësuesi i familjes mbretërore. Në fund të bisedës, Macron dëgjohet të thotë: “Unë jam burrë i fjalës”.

Në tërësi dialogu duket i qetë, me Macron që përpiqet të jetë bindës duke lëvizur duart, ndërsa Princi shfaqet me një mimikë shfajësuese. Ndërkohë, pas shkrepjes së fotos së samitit, e njohur si fotoja e familjes, princi Mohamed u pa të shtrëngonte duart me presidentin rus Vladimir Putin dhe të qeshte përzemërsisht me të, para se të uleshin përkrah njëri-tjetrit në tryezën e bisedimeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!