Samiti i BRICS, çfarë do të thotë një zgjerim pro-rus?

schedule14:24 - 23 Gusht, 2023

schedule 14:24 - 23 Gusht, 2023

Anëtarët e grupit ekonomik BRICS, i cili përfshin ekonomitë më të mëdha në zhvillim, u takuan në Afrikën e Jugut. Samiti konsiderohet vendimtar për të ardhmen e grupit, si dhe se sa me vendosmëri do të arrijë t’i rezistojë një rendi botëror në të cilin beson se Perëndimi dominon padrejtësisht.

Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut kanë arritur të përmirësojnë ndjeshëm rolin e tyre në skenën botërore. Megjithatë, balancat e brendshme mbeten të brishta.

Udhëheqësi rus Vladimir Putin nuk po merr pjesë sepse vendi pritës, Afrika e Jugut do të detyrohej ta arrestonte atë për krime të dyshuara lufte. Dy anëtarë të tjerë, India dhe Kina janë në mosmarrëveshje për shkak të një konflikti themelor kufitar, raporton abcnews.al.

Dhe ndërsa marrëdhëniet e Pekinit me Shtetet e Bashkuara janë duke ende në provë, Nju Delhi ka lidhje të ngushta me Uashingtonin. Kjo nuk është familja më e lumtur. Pavarësisht kësaj, dhjetëra vende kanë shprehur interes formal për t’u bashkuar me grupin e ekonomive më të mëdha.

Diskutimet rreth shtimit të anëtarëve të rinj janë të larta në axhendën e samitit tre-ditor që filloi të martën, ku drejtuesit e BRICS, me përjashtim të Putinit po takohen personalisht për herë të parë që nga pandemia.

Putin, i cili ka një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në lidhje me pushtimin e Ukrainës, tha në samit se vendi i tij dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, të cilën ai pretendoi se në fakt lufta ishte nisur nga Perëndimi.

Putin gjithashtu paralajmëroi mbajtjen e seancës së radhës në tetor 2024 në qytetin e Kazanit. Nga ana e tij, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje të mërkurën për një përshpejtim të zgjerimit të aleancës, raporton abcnews.al.

“Ne duhet të lejojmë më shumë vende të bashkohen me familjen BRICS për ta bërë qeverisjen globale më të drejtë dhe më të arsyeshme,” tha Xi në ditën e dytë të samitit.

Vendimet për zgjerimin kanë të bëjnë si me orientimin e ekipit ashtu edhe me identitetin e tij. Grupi ka të ngjarë të marrë tipare më të theksuara gjeopolitike në përpjekjen e tij për të balancuar fuqinë globale, thonë analistët.

Sidomos në një kohë kur Kina dhe Rusia po konkurrojnë për një rol udhëheqës mes tensioneve në rritje me Perëndimin. Përpjekjet e Pekinit dhe Moskës për të pohuar dominimin e tyre mund të favorizohen nga procesi i zgjerimit.

Duke folur në një konferencë shtypi përpara samitit javën e kaluar, i dërguari i Kinës në Afrikën e Jugut tha se gjithnjë e më shumë vende shpresojnë të bashkohen me BRICS për të “siguruar interesat e tyre legjitime”.

Çështja e zgjerimit mund të jetë “testi i parë i madh i grupit në ekzistencën e tij gati 15-vjeçare”, sipas Bhaso Jendze, një profesor i asociuar i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Johanesburgut, cituar nga CNN.

Shtimi i anëtarëve “do të zgjerojë praninë globale të grupit” dhe do të rrisë pranimin e agjendës së tij kundër dominimit politik perëndimor, tha ai.Megjithatë, ka pikëpamje të ndryshme nëse ai duhet të zgjatet, dhe sigurisht që jo të gjithë anëtarët do të mbështesin hyrjen e të njëjtave vende.

Nëse Putin, Xi Jinping, Narendra Modi, Luis Inacio Lula da Silva dhe mikpritësi i tyre Cyril Ramaphosa nga Afrika e Jugut vendosin të shtojnë anëtarë të rinj dhe mënyra se si i zgjedhin ata do të ketë ndikim të rëndësishëm global, argumentojnë analistët.

Çdo zgjerim do të ishte vetëm i dyti në historinë e grupit, i cili është i fokusuar në rritjen ekonomike dhe forcimin e zërit të anëtarëve të tij në forumet globale, raporton abcnews.al.

Gjithsej 22 vende kanë shprehur zyrtarisht interes për t’u bashkuar, ndërsa shumë të tjera janë në bisedime.

Cilat vende janë të interesuara dhe pse?

Vendet që kanë paraqitur zyrtarisht një kërkesë përfshijnë Argjentinën, Meksikën , Iranin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Nigerinë dhe Bangladeshin, sipas zyrtarëve të Afrikës së Jugut.

Vendet e reja do të rrisin aftësinë e grupit për të riformuar marrëdhëniet dhe për të nxjerrë në pah partneritetet alternative në institucionet globale të fuqisë.

Zgjedhja për të përfshirë vendet që janë hapur armiqësore ndaj Perëndimit, si Irani ,do të sinjalizonte një orientim të qartë antiperëndimor, argumentojnë analistët.

Shtimi i anëtarëve të rinj potencialisht do të kishte të paktën disa efekte pozitive për anëtarin më të fortë, Kinën. Sidomos në një kohë kur Xi Jinping po konkurron për një rol udhëheqës në nismat revizioniste që sfidojnë drejtpërdrejt rendin botëror të udhëhequr nga SHBA.

Hendeku me Perëndimin po zgjerohet

Interesi i madh i vendeve për t’u bashkuar me BRICS e rrit Putinin, i cili mbetet i mirëpritur në grup pavarësisht se Perëndimi e sheh atë si një kriminel lufte.

Ai gjithashtu tregon një hendek në rritje midis prioriteteve të vendeve të BRICS dhe vendeve të pasura perëndimore që janë bashkuar kundër Moskës duke mbështetur Ukrainën, thonë analistët.

Analisti me bazë në Bangalore, Manoi Kevalramani, vuri në dukje një pikëpamje që mbizotëron në të gjithë botën në zhvillim. Sa i përket përfundimit të luftës, “izolimi i Rusisë nuk po ndihmon”, tha Kevalramani, një ekspert lufte, raporton abcnews.al.

Por ndarjet brenda grupit mund të bëhen pengesë për çdo vendim të madh.

Udhëheqësit mund të rishqyrtojnë kriteret për mënyrën se si zgjidhen anëtarët e rinj në vend që të vendosin se cilët do të bashkohen.

Mungesa e liderit rus në bisedimet e drejtpërdrejta është shenja më e dukshme e shqetësimit në marrëdhëniet midis anëtarëve të grupit, i cili përfshin të dy vendet që kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara, si Brazili, dhe vendet që nuk e kanë bërë si Kina, Afrika e Jugut dhe India.

Kur bëhet fjalë për zgjerimin e BRICS, çdo vend ka arsyet e veta për të qenë të kujdesshëm se kë të lejojë të hyjë, pasi çështja u ngrit zyrtarisht për herë të parë gjatë presidencës së fundit të Afrikës së Jugut në 2018.

Për Indinë , e cila është e përfshirë në një mosmarrëveshje kufitare me Kinën dhe po afrohet gjithnjë e më shumë me SHBA- në për shkak të shqetësimeve të përbashkëta rreth pretendimeve në rritje të Pekinit, një profil më i ashpër dhe antiamerikan do të ishte i padëshirueshëm, thonë analistët.

“India është në një pozicion të vështirë sepse identiteti i grupit po ndryshon,” tha Kevalramani.

Një zgjerim, në vend që ta bëjë grupin më të fortë, gjithashtu mund ta bëjë atë “më pak efektiv” duke rritur antagonizmat midis anëtarëve.

Brazili dhe Afrika e Jugut  gjithashtu, mund të jenë të hapur ndaj zgjerimit të mundshëm, por do të ishin “më të kujdesshëm ndaj vendeve me një orientim të qartë anti-amerikan”, sipas Rubens Duarte, koordinator i LABMUNDO, një institut kërkimor për marrëdhëniet ndërkombëtare me qendër në Brazil.

Një ndryshim i tillë mund të mos jetë pikërisht ajo që kërkon grupi, megjithatë, pjesëmarrja e më shumë anëtarëve do të kontribuonte në diversitetin e diskutimeve mbi çështjet globale, raporton abcnews.al.

Një vendim për të zgjeruar BRICS dhe ndoshta për të forcuar rolin e tyre globalisht do të sillte ndryshime më të mëdha dhe do të ndikonte në ndikimin ndërkombëtar të Europës dhe SHBA-së, theksoi Duarte.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!