Më 16 tetor Tirana do të mirëpresë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Lajmin e bëri me dije kancelari gjerman Scholz gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Rama. Për analistin Mentor Nazarko, mbajtja e këtij samiti në muajin tetor konfirmon rëndësinë evropiane të vendit tonë.
Gjatë lidhjes live për NewsLine në Abc News me gazetaren Viol Xhafaj, analisti tha se kryeministri Edi Rama, nëpërmjet aktivizmit në procesin e Ballkanit të Hapur, ka bërë që vendit tonë t’i jepet ky rol organizativ.
“Ky është konfirmim i rëndësisë jo thjesht rajonale, evropiane por dhe ndërkombëtare të Shqipërisë. Pra është vijimi i këtij konsolidimi të prestigjit ndërkombëtar. Ishte një aktivitet i paralajmëruar por me gjasë i shtyrë. Mendohej të bëhej në pranverë por duket se axhenda e Scholz, nuk e ka lejuar një gjë të tillë.
E kemi thënë dhe është momenti që ta fuqizojmë se aktivizmi i Shqipërisë, i Ramës me Vuçiç në krye të Ballkanit të Hapur ka qenë përcaktues në këtë vendim të kancelarit gjerman, për t’i dhënë Shqipërisë lokomotivën e këtij procesi të Berlinit. Rama nëpërmjet aktivizmit me një iniciative të Ballkanit të Hapur, e ka bërë që Shqipërisë t’i jepet ky rol organizativ dhe i rrit prestigjin.
Fakti që Shqipëria ka qenë një vend i sulmuar nga Irani, e shpjegon këtë përzgjedhje. Nuk ka kriter alfabetik. Mendoj se gjithçka lidhet me këtë fuqizim të rolit të Shqipërisë në kuadër të, qoftë të marrjes së Këshillit të Sigurimit, të çeljes së negociatave, aktivizmit brenda Ballkanit të Hapur, qenia në qendër të vëmendje së sulmit kibernetik.
Të gjitha kanë qenë faktorë që kanë përcaktuar këtë samit që është duke u ndikuar pozitivisht nga procesi i Ballkanit të Hapur.“, tha ai./abcnews.al