Samiti i BE-së, dështon përzgjedhja e pasardhësve të Juncker dhe Tusk

schedule23:15 - 21 Qershor, 2019

schedule 23:15 - 21 Qershor, 2019

Samiti i liderëve të BE-së dështoi në përzgjedhjen e pasardhësve të Zhan Klod Junker dhe Donald Tusk, në krye të Komisionit dhe Këshillit Europian. Tusk, në përfundim të takimit deklaroi se së shpejti do të mbahet një samit i dytë, që do të vendosë gjithashtu prioritetet e BE-së në 5 vitet e ardhshme.

28 liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dështuan në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e mbajtësve të posteve kyçe të Komisionit Europian. Bisedimet e mbajtura në Bruksel vazhduan deri në orët e para të së premtes, pa finalizimin e kandidatëve të përfolur. Përveç përpjekjeve për të gjetur pasuesit, liderët e mbledhur u përpoqën gjithashtu të vendosnin se cilat çështje BE duhet të trajtojë me prioritet për 5 vitet e ardhshme. Ndërkohë, një samit i ri do të mbahet më 30 qershor, vetëm dy ditë para një sesioni të rëndësishëm të Parlamentit Europian. Dallime të shumta thuhet se u shfaqën në debatin për zgjedhjen e drejtuesve të posteve, më i rëndësishëm prej të cilëve është ai i presidentit të Komisionit Europian, i mbajtur nga ish-kryeministri i Luksemburgut Zhan Klod Junker që prej vitit 2014. Në përfundim të takimit, presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk konfirmoi se mbajtja e një samiti të ri ishte e domosdoshme. Komisioni Europian harton ligjet e BE-së, mbikëqyr buxhetet kombëtare, përforcon traktatet europiane dhe negocion marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë. “Mesa shoh nuk është dhe aq e lehtë të më zëvendësosh mua”, tha Junker për gazetarët në një konferencë shtypi. Përveç zëvendësimit të tij dhe të zotit Tusk, liderët duhet gjithashtu të zgjedhin presidentin e Bankës Qendrore Europiane dhe përfaqësuesin e lartë për Politikën e Jashtme. Emërimet kërkojnë mbështetjen e të paktën 21 liderëve dhe një shumicë në Parlamentin Europian, që do të mblidhet më 2 korrik. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!