Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Eksperti: Priten të merren vendime që do kenë impakt në 5 vitet e ardhshme

schedule18:45 - 13 Dhjetor, 2023

schedule 18:45 - 13 Dhjetor, 2023

Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Andi Hoxhaj theksoi gjatë intervistës për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, se në samitin e sotëm BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet këtë të mërkurë në Bruksel, pritet që të merren vendime të rëndësishme që do të kenë impakt për 5 vitet e ardhshme.

I pyetur nga gazetari se çfarë merr Shqipëria nga ky samit, ai theksoi se fokusi do të përqendrohet tek ekonomia.

“Ka një paketë të madhe financiare për Ballkanin dhe për t’i dhënë një impakt ekonomik që të rrisë investimet në Ballkan. Një nga propozimet që ka çuar Gjermania tek paketa me veton, është që vendet e Ballkanit të bëhen pjesë e tregut të përbashkët në 5 vitet e ardhshme dhe pas 7 vitesh të bëhen anëtarë të plotë.

Dhe ne, në këtë linjë shkojmë sepse edhe Ukraina është futur në këtë debat. Do të ketë investime në ekonomi sepse dy kushtet për në BE është sundimi i ligjit dhe një ekonomi e lirë, e thyer nga monopolet. Ekonomitë e Ballkanit se bëjnë dot vetëm dhe nëse do kemi veto, do të shkojë kundër kësaj fryme.

E shikoj se fryma do të jetë pozitive sepse vitin tjetër shkojmë në zgjedhje të reja në parlamentin evropian dhe mund të kemi një parlament shumë ndryshe. Mendoj se sot do të merren vendime të rëndësishme që do të kenë impakt në 5 vitet e ardhshme.”, përfundoi eksperti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!