Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani ka vendosur t’i japë fund karrierës në moshën 35-vjeçare. Kapiteni i Dardanëve, i cili ka pasur një karrierë të bujshme, vendimin e ka bërë publik sot përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ai e nisi karrierën si profesionist në vitin 2007 në skuadrën e Palermos, ndërsa gjatë karrierës luajti edhe në Novara, Chievo, Genoa, Latina, Pisa, Cremonese, Çaykur Rizespor, Torino dhe së fundi Empoli.
Samir Ujkani ishte pjesë e Kombëtares që nga ditët e para pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, ku realizoi 35 paraqitje në fanellën dardane. Ai para anëtarësimit të Kosovës dha kontributin e tij edhe në fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, ku regjistroi 20 paraqitje.
Postimi i plotë i Samir Ujkanit në Instagram:
30 vite më parë, si një djalosh 5-vjeçar mora topin e futbollit në këmbët e mia dhe që nga ai moment, topi i futbollit ishte pjesë e jetës sime. Nuk e kam pritur e imagjinuar asnjëherë se do të përjetoj një rrugëtim kaq të bukur e të mbushur me kaq shumë momente kënaqësie. Ai fëmijë që dikur ishte 5-vjeçar, u detyrua të largohej nga Kosova, për t’u shndërruar në një djalosh e në një burrë, në një futbollist që më vonë do të kthehej sërish në Kosovë, ndërmjet dy shtyllave për të mbrojtur triumfalisht portën e saj.
Ashtu sikur për gjithçka tjetër në jetë, ka ardhur koha që të them lamtumirë.
Nuk jam as i mërzitur e as i trishtuar, në fakt ndihem shumë i qetë dhe shikoj me krenari të jashtëzakonshme rrugëtimin tim futbollistik dhe karrierën time, duke qenë i vetëdijshëm se kam qenë me shumë fat që kam përjetuar një eksperiencë unike dhe të mrekullueshme.
Ky rrugëtim më ka dhënë mundësinë të njoh shumë njerëz, pothuajse në çdo qytet ku kam jetuar dhe kujtime të pashlyeshme për çdo fanellë që e kam bartur me krenari dhe që do të jenë pjesë e rëndësishme e jetës sime.
Falënderime të pafund për Tielt Academy, to @ingelmuster, @rscanderlecht, @palermofficial, @novarafootballclub, #chievoverona, @genoacfc, @latinacalcio1932official, @pisasportingclub, @uscremonese, @crizesporas, @torinofc1906, @empoli_fc_official.
Faleminderit për ekipin kombëtar të Shqipërisë @fshforg, e mbi të gjitha, faleminderit vendlindjes sime dhe kombëtares sime të Kosovës @ffk_kos.
Po ashtu është koha për t’ i falënderuar të gjithë ata me të cilët e kam ndarë këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe të cilët dua t’ i falënderoj duke i karakterizuar, sepse 100 faqe nuk do të mjaftonin, duke i përmendur me emra.
Faleminderit shumë për të gjithë: Presidentet, drejtorët sportiv, trajnerët, trajnerët e portierëve, doktorët, fizioterapistët, e deri tek mirëmbajtësit e zhveshtoreve, faleminderit për të gjithë ata persona, të cilët kam pasur kënaqësinë t’ i takoj gjatë karrierës sime.
Faleminderit shumë për bashkëlojtarët e mi, kudo dhe në cilëndo kohë të karrierës sime. Disa prej tyre janë bërë shokët të mi për gjithë jetën, mirëpo të gjithë ata kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin tim si futbollist.
Faleminderit për @fedepastorello, dhe vëllanë tim të madh @jimmyfontana31, që më kanë përcjellë si agjentët e mi gjatë karrierës sime si profesionist.
Faleminderit për të gjithë tifozët, që janë bukuria, kuptimi dhe japin shpirt këtij sporti të mrekullueshëm.
Në fund, faleminderit familjes sime që gjithmonë më ka përkrahur pa kushte: nënës Mete, babait Sadik, vëllait Emir, motrës Liridona, bashkëshortes Efnan, vajzës sime Ilayda dhe djalit tim Keyan.
Se harrova… çdo fund, sjellë një fillim të ri, dhe fillimi im i ri, po nis tani… do t’ ju njoftoi së shpejti.
Me përqafime….
Samiri./ h.ll/abcnews.al