Salvini – Le Pen, sëbashku kundër BE

schedule14:42 - 13 Tetor, 2018

schedule 14:42 - 13 Tetor, 2018

Në muajin Maj të vitit të ardhshëm, në kuadër të zgjedhjeve europiane parlamentare, zv/kryeministri italian Salvini dhe liderja franceze e ekstremit të djathtë Le Pen premtojnë një revolucion. Njëkohësisht ata thonë se nuk janë kundër Bashkimit Europian, por kundër Europës që aktualisht është në një moment të vështirë dhe që ata duan ta shpëtojnë.

Lideri i Legës në Itali, Mateo Salvini u takua në Romë me lideren e ekstremit të djathtë në Francë Marine Le Pen. Deklarata e tij e parë ishte se ai dhe Le Pen po mbledhin trashëgiminë sociale të së majtës që ka tradhtuar vlerat e saj.

Marine Le Pen e Matteo Salvini u deklaruan aleatë për të ndryshuar Europën, duke mos përjashtuar mundësinë që të kenë dhe kandidatë të përbashkët për një ideal: Fronti i Lirisë. Presidentja e Bashkimit Kombëtar në Francë, Marin Le Pen shpjegoi se Bashkimi Europian, sipas saj, ka shkelur vlerat e solidaritetit dhe tashmë ka ardhur një moment historik. Ajo këmbëngul se në maj të vitit të ardhshëm, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare europiane, do të krijohet më në fund një Bashkim Europian që nis nga vlera të reja kundër globalizimit.

Nga ana tjetër gjen mbështetjen e zv/kryeministrit italian dhe liderit të Legës, Mateo Salvini, i cili shton se takimi i muajit Maj do të jetë një revolucion që po përfshin në mënyrë të pashmangshme të gjithë europën dhe jo vetëm. Si shembull për këtë ai mori zgjedhjet presidenciale në Brazil. Salvini theksoi se takimi me Le Pen nuk ishte i llojit elektoral, pasi ata të dy prej kohësh punojnë për një projekt të përbashkët për një të ardhme të përbashkët. Mund të flasim dhe për kandidatë të përbashkët shtoi ai por duke i lënë lirinë vendeve, popujve dhe qeverive.

Minsitri i Brendshëm italian prezanton veten e tij si një autonomist dhe sovranist dhe për këtë arsye nuk mund të imponojë një listë të përbashkët në vende të ndryshme: Çdokush do të festojë fitoret e tij dhe do të takohemi në Bruksel. Por Salvini thekson se nuk do të ketë bashkëpunim me socialistët, dhe hungarezët në kongresin e partisë popullore europiane në muajin nëntor, sipas tij duhet të zgjedhin. Dhe zgjedhja duhet të jetë që të mos ndjekin më socialistët.

Le Pen nga ana e saj konfirmon se nuk do të jetë një listë e vetme sepse askush nuk mund të jetë lider i disa kombeve, dhe duhet të punojnë për të krijuar një parlament të Bashkimit Europian ku të ekzistojnë alternativat. Nuk mund të mendojmë tha ajo se Partia Popullore Europiane dhe Partia Socialiste Europiane të imponojnë përfaqësuesit e tyre.

Marine Le Pen nuk i kursen aspak kritikat kundër Europës duke thënë se Bashkimi Europian nuk është krijuar për të mirën e popujve, por për të përforcuar pushtetin e një klase të vogël botërore që përfitojnë shumë para. Ajo thekson se Bashkimi Europian është ndërtuar mbi mohimin e popujve dhe tashmë këtyre popujve iu duhet rikthyer pushteti. BE sipas saj kundërshton pushtetin e popujve nëpërmjet kërcënimeve jo të justifikueshme duke parë rezultatet katastrofike.

Aleati i saj italian Salvini ndjek të njëjtën linjë, por duke bërë të qartë se nuk mendon një Europë pa rregulla, por që investon në punësim.

Pak muaj para zgjedhjeve europiane që pritet të ndryshojnë në mënyrë radikale skenarin politikt të kontinentit, liderja e Bashkimit Kombëtar në Francë, Le Pen, nis të kërkojë aleatat e saj. I pari që gjen për të konsoliduar boshtin sovranist dhe populist është piëkrisht lideri i Legës në Itali, Matteo Salvini. Por në të kaluarën ndodhte ndryshe, pasi ishte Salvini që vuante për të gjetur aleatë në Europë. Dhe Le Pen, kur ende Orban ishte jo kaq në qendër të vëmendjes si tani, ishte aleatja më e mirë e mundshme.

Takimi i parë mes Salvinit dhe Le Pen ishte në vitin 2014. Politika franceze ka risjellë në vemendje se si Salvini në verën e atij viti e kërkonte Le Pen qoftë dhe për një fotografi sëbashku. Takimi i radhës ishte në Janar të 2016-s në Milano, në një përballje me disa nga forcat e së djathtës europiane, ku antagonistët protestuan dhe kundërshtuan shumë fjalime.

Përgjatë aleancës mes Legës dhe Frontit Kombëtar organizohen të djathtat europiane në atë që Salvini e prezanton si një betejë kundër “eurokracisë” dhe monedhës së përbashkët; rikthim në sovranitet dhe në monedhën kombëtare brenda një konfederate të shteteve.

Pas suksesit të Legës në zgjedhjet parlamentare në Itali në 4 Mars të këtij viti, Marin Le Pen ishte e para që uronte nga profili i saj në Tëitter: Avancimi spektakolar, dhe fitorja e koalicionit të Legës së drejtuar nga aleati dhe miku Matteo Salvini është një kthesë e re në rizgjimin e popujve.

Në ditët në vijim Le Pen analizonte fitoren e Salvinit duke thënë se pas Hungarisë, Polonisë, Republikës Çeke, Suedisë, Danimarkës apo Finlandës, Italia tregoi se në mazhorancë është euroskeptike. Kjo sipas saj do të thotë se në të ardhmen objektivi do të jetë mazhoranca në Parlamentin Europian si një objektiv që mund të arrihet lehtësisht në vitin 2019.

Matteo Salvini e Marine Le Pen janë një zë kur flasin për garën sovraniste në zgjedhete uropiane në fund të muajit maj.

Liderët e dy partive euroskeptike europaine synojnë të kenë një mazhorancë dhe të krijojnë një Europë të kombeve dhe lirive. Duke deklaruar se armiqtë e vërtetë të Bashkimit Europian janë Juncker e Moscoviç të cilët qëndorjnë mbyllur në bunkeret e Brukselit.

Liderja e Bashkimit Kombëtar në Francë, Marin Le Pen ripërsërit se nuk është kundër Bashkimit Europian, por kundër Europës, e cila është në një moment të vështirë dhe do shpëtuar. Lideri Legës, Salvini, lë të kuptojë se të dy ata po mendojnë për gjetjen e një figure që mund të drejtojë në mbrojtje të interesave të tyre Bashkimin Europian.

Ndërsa përsa i përket marrëdhënieve me partinë hungareze ‘Fidesz’, të kryeministrit Viktor Orban, i cili në Strasburg ulet në radhët e popullorëve, Salvini shprehet se nuk mund të vendosë ai për të. Por shpreson që kjo situatë të ndryshojë brenda këtij viti dhe që aleati i tij Orban të bëjë më në fund zgjedhjen e duhur

Por takimi me lideren e Bashkimit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen, ishte vetëm hapi më i fundit Salvinit përsa i përket politikës së jashtme. Diplomacia paralele e liderit legist, zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm, që nga 1 Qershori ka lëvizur me 360 gardë. Që nga udhëtimet në Libi e më pas në Moskë, më pas në Kajro, Insbruk dhe Tunizi. Me një temë të vetme në qendër të bisedimeve, emigracionin. Dhe më pas vijuan takimet me kampionët e sovranizmit: fillimisht kryeministri hungarez Viktor Orban dhe më pas ai me Marine Le Pen.

Deri tani Salvini nuk është takuar asnjëherë si ministër me presidentin rus Valdimir Putin, me të cilin ka një lidhje të fortë. Por gjithësesi mediat italiane e pasqyruan gjerësisht duke i dhënë vendin e një lajmi shumë të rëndësishëm vizitës së tij në Moskë në 16 Korrik ku u takua me homologun rus Vladimir Kolokoltsev dhe disa anëtarë të këshillit rus të sigurisë.

Ndërkohë që Bashkimi Europian ka nisur numërimin mbrapsht për daljen e Britanisë së Madhe.

Marrëveshja mes Londrës dhe Brukselit për Brexit, pritet të përmbyllet shumë shpejt me negociatat për divorcin, që janë drejt fundit. Kreu i negociatorëve për Brexit në Bashkimin Europian, Majkëll Barnier do të informojë Komisionin Europian në prag të një sërë takimesh, para një samiti qëndror në fund të muajit Tetor. Por Bashkimi Europian nuk pret më propozime nga Britania e Madhe për zgjidhjen e ngërçit për kufirin e brendshëm të Irlandës së veriut. Negociatorët po përpiqen të gjejnë një marrëveshje gjatë bisedimeve të drejtpërdrejta.

Lajmet janë konfikrmuar për agjencinë e lajmeve Reuters nga burime diplomatike në Bruksel. Bëhet fjalë për një hap përpara shumë të rëndësishëm meqënëse 27 vendet anëtare kishin këmbëngulur për prezantimin e një propozimi të ri nga ana e Mbretërisë së Bashkuar. Negaciotata në Bruksel zgjatën me ditë dhe pritet të vazhdojnë dhe më gjatë, në pritje për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt. 27 liderët europianë do të takohen gjatë muajit Tetor në Bruksel dhe shpresojnë se do të mund konfirmojnë një progres të rëndësishëm, në mënyrë që të organizojnë një tjetër samit në muajin Nëntor.

Ndërkohë për sa i përket skenareve post Brexit, një artikulli i “Business Insider” bë alarmin, duke shkruar se britanikët pas firmosjes për një marrëveshje tregtare me rreze të gjerë me Shtete e Bashkuara të Amerikës, mund ta shohin veten në vështirës. Kjo duke pasur parasysh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë standarde të tjera sidomos për sa i përket ushqimeve. Por ministri britanik i Tregtisë, Liam Foks, e konsideroi artikullin në fjalë si të pabazuar në fakte. Por edhe kolegët e tij në parlament i kanë bërë të qartë se duhet përjashtuar kategorikisht fakti që Mbretëria e Bashkuar të pranojë standardet amerikane për ushqimin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!