Salvini: Juncker shkatërroi Europën dhe Italinë

schedule09:32 - 6 Tetor, 2018

schedule 09:32 - 6 Tetor, 2018

Retorika mes Romës dhe Brukselit është acaruar ndjeshëm të premten, kur zëvendës kryeministri i Italisë Mateo Salvini ka akuzuar presidentin Zhan Klod Junker se ka shkatërruar Europën me politikat e tij fiskale. Duke reaguar, Junker ka paralajmëruar Salvinin se shumë shpejt mund të ndodhet buzë greminës.

Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini ka acaruar retorikën me Brukselin, duke sulmuar presidentin e Komisionit Europian, Zhan Klod Junker dhe komisionerin për Ekonominë, Pierr Moskovici.

“Njerëz si Junker dhe Moskovici kanë shkatërruar Europën dhe vendin tonë”, ka thënë Salvini.

Ai i ka quajtur dy funksionarët e lartë të Unionit burokratë të pazgjedhur nga populli që kanë miratuar politika fiskale që kanë varfëruar Italinë. Nga ana e tij, Junker është përgjigjur pak më vonë nga Vjena.

“Uroj që Salvinit të mos i duhet kurrë të mbledhë rrënojat e shkatërrimit”, ka thënë Junker për agjencinë austriake “APA”, sipas të cilës, presidenti i referohej një krize të re të euros.

Por Salvini ka reaguar sërish, duke i cilësuar “të papranueshme” fyerjet dhe kërcënimet që sipas tij vijnë përditë nga burokratët e Brukselit.

“Të vetmet rrënoja që do të mbledh do të jenë ato të ëndrrës së bukur europiane, që është shkatërruar nga njerëz si Junker”, ka thënë zëvendës kryeministri.

Një nga vendet themeluese të Bashkimit Europian, Italia ka qenë dikur një nga avokatet kryesore të Unionit.

“Do të ndërtoj me shumë kënaqësi një Europë të re pas zgjedhjeve popullore të muajit maj. Unë punoj për të mirën dhe të ardhmen e italianëve”, ka shtuar Salvini.

Fërkimet mes Romës dhe Brukselit vijnë si pasojë e buxhetit të hartuar nga qeveria italiane për vitin e ardhshëm, që parashikon rritjen e deficitit buxhetor mbi 2 për qind, kuotë e kundërshtuar nga BE-ja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!