Hamdi Salihi është një nga sulmuesit më të mirë shqiptarë të dy dekadave të fundit. Shkodrani ka nisur karrierën e trajnerit dhe momentalisht është pjesë e stafit të Edi Reja te kombëtarja kuqezi. 36-vjeçari flet në “Fan Zone” në Supersport rreth gjendjes së krijuar, bisedave me Rejën dhe eurogolit me Norvegjinë.
SITUATA – “Ishte koha e bukur dhe njerëzit nuk e morën seriozisht, duke dalë jashtë. Koronavirusi po përhapet me shpejtësi dhe njerëzit tani e kanë kuptuar, duke u futur në shtëpi. Kalifornia? Ne jemi përshtatur në vende më të këqija, jo më këtu. Komunikoj gjithë kohën me familjen. Për fat të mirë, nënën e kam këtu pasi kishte ardhur për një vizitë. Të afërmit janë larguar nga Shkodra dhe po qëndrojnë në Velipojë, për të qenë më të sigurt”.
REJA – “Një herë më kishte marrë malli dhe e lëshova veten, por më pas ndryshova, duke nisur stërvitjen dhe duke luajtur tenis. Nëse nuk do të kishte ardhur koronavirusi, do të isha i gatshëm për t’u rikthyer të luaja (qesh). Jam në kontakt me Edi Rejën, po flisnim për ndeshjet miqësore, listën dhe gjithçka tjetër. Tani flasim vetëm për gjendjen ku ndodhemi”.
SUPERGOLI – “Ka qenë një gol që më ka gëzuar shumë, pasi e kishim përgatitur skemën gjatë gjithë javës në stërvitje. Të gjithë i kishin sytë tek unë dhe prisnin golin. Ai është një nga golat e mi të preferuar. Kisha frikë, pasi e kisha dërguar shumë herë topin jashtë. Kampion në Superiore? Më vjen keq për Orges Shehin, e kam shok, por Tirana është në rrugën e duhur”. /abcnews.al