Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është shprehur se kryeministri, Edi Rama ka 3 seanca parlamentare që i shmanget diskutimit të aferës së inceneratorëve.
Ai tha se ka një përpjekje të jashtëzakonshme për të zhvendosur vëmendjen nga afera korruptive, e cila sipas Salianjit ka vjedhur nga xhepat e qytetarëve më shumë se 430 milionë euro .
Si rrjedhojë Salinaji kërkon zbardhjen e aferës korruptive, në të cilën janë përfshirë më shumë se 4 ministra, që sipas tij me këto para kanë blerë zgjedhjet e 25 prillit.
Ervin Salianji:” Ka një përpjekje të jashtëzakonshme për të zhvendosur vëmendjen nga afera e inceneratorëve, që është aferë me më shumë se 430 mln euro të grabitura nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Jemi në një situatë ku Edi Rama ka tre seanca ku i fshihet dhe struket për shkak të aferës korruptive. Ministra që nun kanë asnjë identitet politik, po mbrohen për fat të keq nga ish-kolegë që pretendojnë se janë në opozitë. Fokusi sot duhet të jetë për zbardhjen e kësaj afere korruptive, e gjithë vëmendja e publikut duhet të jetë në këtë çështje dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me zhvendosjen e vëmendjes i shërben drejt për drejt Ramës.
Është aferë e mbrojtur nga Rama, i gjithë grupi parlamentar i PS para zgjedhjeve të 25 prillit e nisi aferën nga Elbasani. Nuk është një aferë që e bëjnë 1 apo 2 ministra, janë përfshirë 4 ministra, pothuajse gjithë struktura shtetërore është përfshirë në këtë aferë.
Sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, disa kryetarë bashkie, për të bërë të mundur që këto para përveç se të merren nga taksat e qytetarëve të përdoren për të blerë zgjedhjet apo për të intimiduar, joshur persona të caktuar në media.
Me këto para të vjedhura padiskutim që do kishim një situatë tjetër të gjendjes ekonomike, nuk do kishim këtë tmerr në rritjen e çmimeve të karburanteve. “
Kuvendi i Shqipërisë u mbledh ditën e sotme në seancë plenare me diskutimet që u fokusuan te inceneratorët, ku kanë sjellë përplasje mes PD dhe PS. /abcnews.al