Institut kombëtar për tumoret/ Italia do ndihmojë Shqipërinë për rrjetin kombëtar onkologjik
Italia do të ndihmojë Shqipërinë në ngritjen e rrjetit të ri kombëtar onkologjik dhe Institutit Kombëtar të Tumoreve, elemente qendrorë të reformës në sistemin shëndetësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala takoi ministrin italian të Shëndetësisë Orazio Schillaci me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ministrat ranë dakord për të zgjeruar bashkëpunimin në trajtimin e sëmundjeve onkologjike, forcimin e kapaciteteve, përmirësimin e protokolleve të trajtimit dhe për asistencë në trajtimin e rasteve që kërkojnë kujdes më të specializuar.
Një tjetër drejtim ishte dhe zhvillimi i kapaciteteve në mjekësinë bërthamore dhe sigurimi i radiofarmaceutikëve pas instalimit të aparaturës PET-CT në QSUT.
Dy vendet do te bashkëpunojnë gjithashtu për përmirësimin e shërbimeve për shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Ndërkohw Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të bashkëpunojë me agjencinë homologe italiane për politikat e regjistrimit, kontrollit dhe certifikimit të barnave, si dhe në përcaktimin e metodologjive të çmimeve.
Në kuadër të procesit të integrimit europian, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po punon për hartimin e ligjit për qelizat, gjakun e indet ku Italia pritet të ofrojë mbështetje dhe shkëmbim përvojash, veçanërisht në fushën e transplantit.
Në fokus të veçantë ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e arsimit te larte dhe formimit të vazhdueshëm profesional në mjekësi.
Ministrat Sala dhe Schillaci vlerësuan gjithashtu mundësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e menaxhimit spitalor, përmes bashkëpunimit me spitalin e njohur “San Raffaele” në Milano.


