Saktësimi i adresës, drejtori i Gjendjes Civile shpjegon procedurën: Hapat që duhet të ndiqni

schedule14:54 - 7 Janar, 2021

schedule 14:54 - 7 Janar, 2021

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj ka shpjeguar hapat që ndiqen për të kryer saktësuar adresën pa qenë nevoja të shkohet në zyra.  “Është shumë e thjeshtë, mjafton që qytetari të logohet, të japë kredencialet e tij, të klikojë te “bashkia”, më pas te “njësia administrative” dhe kështu me radhë te të gjithë rubrikat përbërëse të gjendjes civile për të saktësuar adresën e tij, duke ngarkuar thjesht një dokument, i cili e lidh vetë personin, shtetasin, me adresën ku ai banon dhe në pak minuta adresa saktësohet nga nëpunësi i zyrës së Gjendjes Civile, i cili e merr informacionin nëpërmjet Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

Kjo është një risi tjetër, që u vijmë në ndihmë qytetarëve duke lehtësuar dhe duke eliminuar prezencën e tyre fizike pranë zyrave të Gjendjes Civile. Vetëm pak minuta, në platformën e-Albania, për të bërë saktësimin përfundimtar të adresës dhe shtetasi të ketë një adresë të rregullt, funksionale, nëpërmjet të cilës pastaj mund të përfitojë të gjitha shërbimet që lidhen me adresën“, deklaroi Doracaj.

Doracaj shtoi se është shtuar numri i personave që kanë saktësuar adresën. “Prej më shumë se një vit Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Ministria e Brendshme, ka filluar procesin e “popullimit”, ku janë bërë importimi i të dhënave sipas procesit në data bazën qendrore të DPGJC, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, dhe sot kemi një shtim të numrit të personave, që kanë saktësuar adresën e tyre.  Por për të lehtësuar punën dhe për t’u qenë sa më pranë qytetarëve në këto ditë të fillimit të vitit, ne sot po lançojmë edhe projektin e ri së bashku me AKSH-in.  

Sot, çdo shtetas shqiptar i cili ka një adresë të pasaktësuar ende, mund ta saktësojë adresën duke u loguar në platformën e-Albania, me kredencialet e tij, dhe menjëherë, një nga rubrikat që shfaqet aty, është rubrika e saktësimit të adresës”, u shpreh Doracaj.

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko theksoi se veç këtij procesi, po vijon puna për të plotësuar bazën e të dhënave përmes vetëdeklarimit të adresës së shqiptarëve që jetojnë jashtë, por edhe me kompletimin e sinjalistikës në njësitë vendore.

“Pas tre dekadash i japim fund një problemi shumë të gjatë në fakt të mungesës së adresave të shtetasve shqiptarë. Bashkimi i regjistrit të shtetasve me regjistrin e  adresave, ka krijuar tani një regjistër të konsoliduar ku shteti shqiptar e ka të qartë dhe të konsoliduar se ku ndodhen shtetasit e vet. Me shërbimet e reja online gjithashtu, ju keni mundësi të saktësoni adresën tuaj nëpërmjet shërbimit e-Albania, të aksesueshëm nga kompjuteri i shtëpisë, nga celulari juaj, duke evituar kështu të gjithë kalvarin e vajtjes nëpër zyra, të burokracive, apo të kohës së humbur.

Dy hapat e tjerë të radhës të rëndësishëm janë, e para, vetëdeklarimi i shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë; – kjo për të konsoliduar adresën e tyre në mënyrë që të marrin shërbime dhe të kenë mundësi të zgjedhin; dhe hapi i dytë është, konsolidimi i infrastrukturës dhe të gjithë sinjalistikës me njësitë vendore, në të gjitha bashkitë e Shqipërisë”, tha Kuko./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!