Armando Sadiku, në një lidhje me ‘Skype’ me emisionin Studio Sprint në ABC News, tregoi situatën që është krijuar në Spanjë për shkak të Koronavirusit. Ne bisedën e tij me moderatorin Gerti Çarçani, sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, tha: “Kam rreth 10 ditë që jam në karantinë, në shtëpi. Këtu në Spanjë, gjendja është shumë alarmante, sepse ka rreth 25 mijë të prekur dhe pothuajse 500 që kanë humbur jetën. Numri vazhdon të rritet dita-ditës dhe në dy ditët e fundit, me aq sa kam dëgjuar lajmet këtu, kemi edhe 5 mijë persona më shumë të prekur nga ky virus.
Patjetër, të gjitha skuadrat janë në izolim. Kemi marrë një program nga ekipi, që të bëjmë stërvitjen në shtëpi. Në fillim, këtu nuk u morën shumë masa serioze, nuk e morën seriozisht. Masat u morën pak me vonesë, siç u morën në Itali. Kur më pas gjëndja u bë shumë serioze, kur shumë vetë po prekeshin nga ky virus, atëherë dhe La Liga ndërpreu kampionatin, si La Liga 2, ashtu dhe La Liga Santander. Kemi rreth 2 javë që jemi vetë-karantinuar në shtëpitë tona. Nuk i dihet dhe për sa ditë të tjera do të vazhdojë kjo situatë.
Ne këtu te Malaga, na kanë dhënë një program për dy javë dhe në fund të atij programi, shkruhet: “Nuk dihet akoma sa do të vazhdojë, apo do të ndërpritet pas dy javësh”. Kështu që, kam një program për dy javë që t’i zhvilloj stërvitjet në shtëpi dhe nuk dihet akoma se kur do të fillojmë stërvitjen.
Këtu po flitet se La Liga do të fillojë me datë 24 prill. Është thjeshtë një datë që është përfolur se kur mund të fillojë La Liga. Për momentin, po shikohen disa gjëra, për të marrë në fund një vendim konkret, nëse do të fillojë me datë 24 apo jo.
Ekipi më ka sjellë në shtëpi disa vegla që punojmë. Kryesisht ushtrime për kardio. Më kanë sjellë një biçikletë, ku aty mund të kryej pjesën e aerobisë dhe pak forcë. Gjërat e tjera i kemi të gjitha me video. Secili lojtar ka programin e tij. Një ditë ndryshe, një ditë ndryshe, sipas rolit, strukturës muskulore dhe mundohemi t’i bëjmë çdo ditë këto ushtrime. Patjetër që edhe topi nuk mungon çdo ditë (qesh).
Unë praktikohem këtu në shtëpinë time, kam publikuar video dhe në Instagram. Kështu që, mundohemi të jemi gjithmonë pozitivë. Patjetër Gerti, ne jemi futbollistë, siç themi ne: Na zien gjaku! Kemi dëshirë të japim gjithmonë më të mirën tonë, si në fushë, por dhe jashtë saj. Jemi përballë një situate të vështirë, ku asnjë nuk është mësuar të rrijë çdo ditë në shtëpi, të mos dalë as për një shëtitje. Por duhet ta marrim me pozitivitet, duhet t’i zbatojmë rregullat që na kanë dhënë dhe të shpresojmë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt”, u shpreh Sadiku../abcnews.al