Rruga është e gjatë, por tashmë duket ajo e duhura. Falë një shqiptari të ardhur pa zhurmë, një skuadër e njohur si Malaga ka më shumë shpresë të mbetet në ligën e dytë të Spanjës, për të ndërtuar më pas një projekt edhe më ambicioz.
Armando Sadiku ishte njeriu-gol në duelin ndaj Tenerife, fituar 2-0 duke qenë realizues i dyfishtë. Sulmuesi 28-vjeçar gjeti rrugën e rrjetës në minutat 27 e 76, duke i dhënë kuptim lojës së skuadrës, e duke garantuar tri pikë tepër të rëndësishme.
“Ishte shumë e rëndësishme fitorja në shtëpi, Jemi shumë të lumtur, edhe unë, pasi shënova dy gola. Kam provuar në çdo ndeshje, por sot i realizova dhe jam i lumtur. Duartrokitjet e tifozëve? Është një ndjesi spekatkolare. Gjithmonë e kam thënë. Ua kushtojmë tifozëve fitoren”.
“Goli i parë? Kishim punuar shumë këtë javë për topin e dytë. Shënuam nga një situatë e tillë dhe jemi të lumtur. Shpresojmë të shënojmë në çdo ndeshje gola në situata të njëjta. Penalltia? Kam goditur penallti edhe në ndeshjen e fundit në ‘La Rosaleda’. Kam besim dhe mendoj se i gjuaj mirë penalltitë. E mora topin pa asnjë dyshim. Jam i lumtur që arrita të shënoj, Shpresoj të vazhdoj kështu, duke shënuar”.
Gazeta “Marka” theksoi: Sadiku shkatërron “Barahën”! Dy gola të shqiptarit nxjerrin Malagën nga zona e ftohtë dhe ëmbëlsojnë debutimin e Pipos! Me 6 gola këtë sezon, ylli i kombëtares hyn në 10 shënuesit më të mirë të Ligës së Dytë deri tani dhe padyshim synon për më lart.
Ai është sulmuesi kryesor i ekipit, duke pasur diferencë me të tjerët. Shënuesi më mirë tek Malaga, pas Sadikut, është Antonjin me gjysmën e golave të tij, vetëm 3.
Pas kësaj fitoreje, Malaga u ngjit në vendin e 17-të mes 22 ekipeve të kampionatit, duke pasur 20 pikë në 19 javë. Gjithsesi, klasi i Sadikut do të duhet edhe në vazhdim, për të mos lejuar rënien nga kategoria. /abcnews.al